Koronavirusi qëndron në rroba deri në 3 ditë, ky material paraqet rrezikun më të madh

  • A.P /
  • 28 shkurt 2021 - 16:30
Koronavirusi qëndron në rroba deri në 3 ditë, ky material paraqet rrezikun më të madh

Shkencëtarët kanë zbuluar se viruset e ngjashëm me llojin që shkakton sëmundjen COVID-19 mund të mbijetojnë deri në tri ditë në pëlhura të veshura zakonisht.

Një studim nga Universiteti i de-Montfort në Leicester testoi koronavirusin në poliester, një përzierje poliesteri dhe pambuku dhe 100% pambuk.

Rezultatet tregojnë se poliesteri paraqet rrezikun më të madh.

Mikrobiologia Katie Laird, e cila drejtoi studimin, tha se materialet, të cilat përdoren zakonisht në uniformat shëndetësore, përbëjnë një rrezik transmetimi.

Në studim, pikat e virusit të shtuara në inde u studiuan dhe shkencëtarët më pas monitoruan stabilitetin e virusit në secilin material për 72 orë.

 Rezultatet treguan se poliesteri përfaqëson rrezikun më të madh të transmetimit, pasi që virusi ishte i pranishëm në pëlhurë edhe pas tre ditësh dhe ekziston mundësia e transmetimit të tij në sipërfaqe të tjera, shkruan BBC.

Në materiale me pambuk 100 për qind, virusi zgjati për 24 orë, ndërsa në një përzierje pambuku dhe poliesteri, virusi mbijetoi vetëm për gjashtë orë.

“Kur filloi epidemia, nuk dihej për sa kohë mund të mbijetonte koronavirusi në tekstile”, tha Laird, udhëheqëse e grupit kërkimor të universitetit për sëmundjet infektive në DMU.

“Gjetjet tona tregojnë se tri tekstilet më të përdorura në kujdesin shëndetësor paraqesin rrezik për transmetimin e virusit. Nëse infermierët dhe punonjësit shëndetësorë marrin uniformat në shtëpi, ata mund të lënë gjurmë të virusit në sipërfaqe të tjera”, shtoi ajo.

Studimi gjithashtu shqyrtoi metodën më të besueshme të larjes për heqjen e virusit nga pëlhura 100 për qind pambuk. Virusi u eliminua plotësisht vetëm kur u përdor detergjent, dhe temperatura e larjes u rrit mbi 67 gradë.

Studimi tregoi se nuk kishte rrezik të ndotjes së kryqëzuar kur sendet e pastra laheshin me ato me gjurmë të virusit.

 Sidoqoftë, Laird tha se udhëzimet e botuara në fillim të epidemisë nga Instituti Shëndetësor Publik Anglez (PHE) dhe Shërbimi Kombëtar i Shëndetit (NHS) në lidhje me larjen e uniformave bazoheshin në “literaturë të vjetruar”.

“Ky hulumtim përforcoi rekomandimin tim që të gjitha uniformat shëndetësore të lahen menjëherë në spitale ose në një lavanderi industriale. Këto metoda të larjes janë të rregulluara dhe infermierët dhe punonjësit shëndetësorë nuk duhet të shqetësohen për sjelljen e virusit në shtëpi”, tha Laird.

(Kosova Sot Online)