"Luftë" për Evropë

  • 22 October 2016 - 08:38

Skuadrat elite të futbollit kosovar sivjet janë duke dhënë gjithçka nga vetja për të përfunduar në pozitën e parë, por jo pse e duan aq shumë titullin e kampionit Kosovës, por pse e synojnë Ligën e Kampionëve,shkruan gazeta Kosova Sot.
 Pra, dalja në arenën ndërkombëtare është arsyeja kryesore pse lufta sivjet po bëhet më e ashpër. Kosova përkatësisht Federata e Futbollit nuk është aq e pasur sa mund të sigurojë shpërblime të mëdha për ekipin kampion, kështu që e gjithë vëmendja e klubeve tona përqendrohet te garat evropiane aty ky edhe janë shpërblimet më të mëdha të cilat jepen nga UEFA. 450 mijë euro është shpërblimi që në start për fituesin e titullit të kampionit që siguron UEFA, ndërsa shpërblimet nga Federata nuk e arrijnë shifrën më shumë sesa 15-20 mijë euro, gjë e cila ka bërë që shumë më e dashur të jetë Liga e Kampionëve sesa vetë titulli shtetëror. Elita e futbollit kosovar tashmë ka përmbyllur 9 javët dhe kanë mjaftuar këto ndeshje për të parë saktë se cilat janë skuadrat që po e pretendojnë vendin e parë, dhe cilat janë ekipet e tjera, që në mungesë të potencialit për ta ndjekur titullin si objektiv kryesor e kanë Kupën e Kosovës, trofe ky që gjithashtu dërgon në Evropë. Tash për tash, Trepça'89 i prin renditjes me 4 pikë më shumë sesa vendi i dytë Prishtina që ka 20 dhe Feronikeli 18-të në vendin e tretë, mirëpo shikuar në bazë të organizimit del se Feronikeli e Prishtina janë dy skuadrat më serioze në luftë për titull dhe pikërisht njëra nga këto dy skuadra do ta marrë "bajraktarin" që për herë të parë ta prezantojë futbollin e Kosovës në Ligën e Kampionëve dhe atë me shpresë që do t'i plotësojnë kriteret e jo sikur këtë vit kur mbetën jashtë, për shkak të moslicencimit nga UEFA.

Katër skuadra për titull, të tjerat për mbijetesë

Ish-futbollisti i njohur kosovar, Ismet Ramushi, që për shumë vite derdhi djersë nëpër fushat e Kosovës, pak para se të pranohej FFK-ja në UEFA e FIFA i dha fund karrierës aktive, duke iu shuar kështu një ëndërr fëmijërore që edhe ai t'i shijojë garat evropiane. Ramushi thotë se Kosovës i është bërë shumë padrejtësi, pasi futbolli ynë shumë më herët e ka merituar të jetë pjesë e Evropës. "Është shumë mirë që tash jemi pjesë e UEFA-s e FIFA-s, edhe pse unë them se pranimi ka ardhur me vonesë dhe atë për shkak të padrejtësive të këtyre dy institucioneve, pasi futbolli ynë shumë më herët e ka merituar të jetë nën ombrellën e tyre. Megjithatë, edhe tash nuk është keq dhe kjo ka bërë që kampionati i sivjetmë të jetë më joshës, pasi të gjithë e duan vendin e parë dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve", ka thënë Ramushi, duke iu kthyer më pas nivelit të futbollit që po luhet këtu, e që është e kuptueshme se ende nuk është në kuotën e dëshiruar. "Kam pasur rastin që sivjet ta ndjek më shumë kampionatin tonë dhe them se po luhet futboll i fortë, çka dëshmon se deri në fund askush asgjë nuk e ka të sigurt, pra si në luftë për titull ashtu edhe për ekzistencë dhe kjo është e mirë për vetë garën", vlerësoi futbollisti gjilanas.

Feronikeli e Prishtina më afër

Sa u përket skuadrave që janë më afër Ligës së Kampionëve, sipas Ramushit janë Feronikeli e Prishtina, por që në asnjë mënyrë nuk e harron as Trepçën'89 e Besën pa dashur t'i nënçmojë ekipet e tjera, që gjithashtu janë të forta, por ende jo në atë masë sa të ndjekin vendin e parë. "Janë 3-4 ekipe që po tregojnë kualitet dhe kanë potencial në ekip, që mund pa problem të prezantohen në garat ndërkombëtare. Prishtina, Feronikeli, Besa e Trepça'89 kanë cilësi të mira. Kampionati është i gjatë dhe mund të themi se Prishtina e Feronikeli kanë më shumë stabilitet për të luftuar deri në fund, por që nuk dihet pasi gjërat mund të ndryshojnë. Sa u përket ekipeve të tjera, nuk dua t'i nënç- moj pasi në futboll assesi nuk duhet nënçmuar askush, por që tash për tash këto katër ekipe që përmendëm janë shumë më afër arenës ndërkombëtare", ka përfunduar Ismet Ramushi.

(Kosova Sot)