Një milion dollarë në vit dhe Liga e Kampioneve, ofertë ëndrrash për Cikalleshin

  • 23 May 2017 - 18:52
Një milion dollarë në vit dhe Liga e Kampioneve, ofertë ëndrrash për Cikalleshin

Sokol Cikalleshi mund të bëjë shumë shpejt lëvizjen më të rëndësishme të karrierës së tij futbollistike. Pak muaj pasi karriera e sulmuesit dukej se po përballej me vështirësi të mëdha, për shkak të mosaktivizimit te Istanbul Bashakshehir, duket se sulmuesi është shumë pranë hapit të rëndësishëm për t’u bërë pjesë e klubit të Beshiktash.

Sipas “SuperSport”, gjithçka lidhet me transferimin përfundimtar të Pektemek nga Beshiktash te Istanbul Bashakshehir. Beshiktashi, që sapo u shpall kampion i Turqisë, pëlqen futbollistin shqiptar i cili po shkëlqen me Akhisar Beledispor dhe dëshiron ta bëjë atë pjesë të marrëveshjes, në një shkëmbim të mundshëm.

Cikalleshi ka rënë në sy në muajt e fundit me rregullsinë me të cilën po gjen rrjetën dhe Beshiktash e sheh atë si një alternativë të vlefshme për vitin në vazhdim. Është mësuar se oferta që po negociohet aktualisht është ajo e një kontrate katërvjeçare për 26-vjeçarin, me një rrogë prej 1 milion dollarësh në sezon.
Kjo do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së verës për futbollistët shqiptarë, por ndërkohë do të vendoste Cikalleshin përballë një prove shumë të vështirë, pasi ai do të shkonte në një skuadër ku rivalë në repartin e sulmit ka emra si Abubakar, Babel, Tosun, apo Demba Ba.

(Kosova Sot)