Prishtina kërcënon NGA ANTALIA

  • 01 February 2018 - 09:15
Prishtina kërcënon NGA ANTALIA

SKUADRA BARDHEKALTËR ME INTENSITET TË LARTË PO PËRGATITET NË TURQI PËR STINORIN PRANVEROR

Skuadra më e trofeshme në vend, Prishtina ka dhënë sinjale të forta nga Antalia se këtë pranverë do ta ketë fjalën kryesore në futbollin kosovar. Bardhekaltrit, të cilët tash e 4 ditë po përgatiten në Antalia të Turqisë, po tregojnë formë të lartë, derisa kanë premtuar se në pranverë do të paraqesin lojë shumë më ndryshe se nga ajo që e treguan në vjeshtë. Kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se ekipi është duke treguar vlera të lartë dhe se mezi po e presin startin e garave që këto vlera t'i paraqesin para adhuruesve të vetë. Në anën tjetër, edhe kryesia e klubit nuk po rrinë duarkryq, pasi sivjet e ka hapur kuletën dhe e ka ndërmend të shpenzojë bukur shumë vetëm e vetëm të arrijë objektivat që ka. Dje klubi prishtinas ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me futbollistin 24-vjeçar nga Gana, Jamal Arago, i cili do të jetë i Prishtinës për 2 vjetët e ardhshme. Arago e njeh shumë mirë futbollin e Kosovës, pasi për 6 muaj ishte pjesë e skuadrës së Gjilanit nga e cila u largua për t'u transferuar në Finlandë, ku edhe arriti pastaj marrëveshje më Prishtinën. Gjithsesi, një shije të keqe Prishtina la me transferin e fundit Visar Musliun, që e mori nga Vardari i Shkupit. Ai erdhi me shumë bujë, por në fakt ky transfer doli të jetë një skenar i përgatitur mes Prishtinës e Shkëndijës së Tetovës. Musliu në kontratën që kishte me Vardarin nuk lejohej t'i bashkohej asnjë skuadre në Maqedoni, kështu që ai zgjodhi përmes Prishtinës të kalojë pastaj te Shkëndija në formë huazimi. 

Dallku: Gjithçka sipas parashikimeve

Kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku ka thënë se gjithçka është duke shkuar sipas parashikimeve dhe se puna që po bëhet në Antalia është dëshmi se ata po përgatiten për të treguar një Prishtinë ndryshe nga ajo e viteve të kaluara, kur munguan trofetë. "Përgatitjet po rrjedhin siç është më së miri. Turqia, më saktë Antalia, te jep mundësi të bësh përgatitje profesionale, ku përpos që ka një klimë shumë të mirë për stërvitje, këtu ke mundësi të bësh edhe shumë ndeshje miqësore për ta parë ekipin se në çfarë niveli apo në çfarë gjendje është", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Armend Dallku, duke shtuar se këtë vit kjo skuadër nuk do të lejojë që t'u ikin trofetë. "Kushtet për punë i kemi të jashtëzakonshme, pasi nuk mungon asgjë. Tash na mbetet neve futbollistëve së bashku me stafin teknik që t'i përmbushim pritshmëritë e kryesisë së klubi, të tifozëve tanë "Plisat" dhe të gjithë atyre që kanë simpati për klubin futbollistik Prishtina. Unë besoj fuqishëm se këto pritshmëri do t;I arrijmë", ka thënë Armend Dallku. 

Triumfojnë në miqësoren e parë

Prishtina gjatë qëndrimi në Antalia ka sjellë disa futbollistë në skuadër të cilët po kalojnë nëpër teste të trajnerit Mirel Josa. Një brazilian dhe një korean po stërviten te Prishtina, por tash për tash nuk jepet asnjë informacion sesi është gjendja e tyre dhe sa e kanë bindur trajnerin Josa. Burime brenda klubit kryeqytetas thonë se lojtarë janë në fazën ku po studiohen aftësitë e tyre, dhe se trajneri Josa nuk ka dhënë asnjë qëndrim për ta. Prishtina dje e ka zhvilluar miqësoren e parë në Antalia ku ka fituar ndaj skuadrës nga Maqedonia, Akademia Pandev me shifrat 3:0. Prishtina e drejtuar nga trajneri Mirel Josa në këtë ndeshje ka shkëlqyer teksa golat i kanë realizuar Ahmed Januzi, Mentor Mazrekaj dhe Liridon Fetahaj.

(Kosova Sot)