“Viniciusi duhet të largohet nga Real Madridi”

  • 25 September 2018 - 12:46
“Viniciusi duhet të largohet nga Real Madridi”

Ish-mesfushori i Real Madridit, Miguel Salgado, beson se lojtari i ri i klubit madrilen, Vinicius, duhet të largohet dhe ta gjejë një klub të ri ku ka më pak presion në mënyrë që të zhvillohet sa më shumë individualisht.

Sipas Salgados, Viniciusi, i cili u transferua në Real Madrid për 45 milionë euro gjatë afatit kalimtar të verës, duhet të transferohet si huazim në një klub tjetër. Kjo pasi që ai nuk ka arritur deri më tani të bëhet pjesë e projektit të trajnerit Julen Lopetegui.

Përderisa 18-vjeçari ka arritur të shfaqë talentin e tij për Real Madrid Castillas, ai është thirrur për herë të parë në ndeshjen kundër Espanyol, të cilën e fituan me rezultat 1-0. Përkundër potencialit që ai ka, Viniciusi nuk është pjesë e planeve të Lopeteguit, i cili e preferon Mariano Diazin, i cili shënoi golin e parë kundër Romës në Ligën e Kampionëve.

Salgado frikësohet se çmimi i lartë i transferimit të tij mund ta ndikojë negativisht ish-lojtarin e Flamengos për shkak të presionit të madh që ka mbi vete. Për këtë arsye beson se largimi nga Real Madridi do të ishte zgjedhja më e mirë për brazilianin.

“Ne duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë tani me të. Ka presion të tepërt mbi trajnerin dhe lojtarin. Ata duhet të rrinë të qetë tani dhe të presin një mundësi të mirë”, ka thënë Salgado.

“Ndoshta ai duhet të kërkojë një skuadër tjetër të mirë në Spanjë, ku mund të luajë pa presion dhe për më shumë minuta. Presioni nuk është i mirë për lojtarët e rinj dhe në Real Madrid ai ka shumë presion”.

“Real Madridi nuk është çfarëdo skuadre, është një skuadër që ka një presion të madh mbi vete. Djaloshi iu kushtoi 45 milionë euro edhe pse askush nuk e njihte atë”.

“Deri më tani, ai ka luajtur mirë për ekipin e dytë, ku ka treguar talent më shumë se të tjerët. Ai është driblues i mrekullueshëm, sidomos sa i përket shpejtësisë. Nuk ka asnjë dyshim se ai është një investim shumë i mirë për të ardhmen”. 

(Kosova Sot)