Messi pasi mori çmimin: As që i ëndërroja këto çmime, doja thjesht të bëhesha futbollist profesionist

  • 18 December 2018 - 15:59
Messi pasi mori çmimin: As që i ëndërroja këto çmime, doja thjesht të bëhesha futbollist profesionist

Lionel Messi ka thënë se nuk kishte pritur se do të fitonte kaq shumë çmime individuale kur e kishte nisur karrierën e tij në futbollin profesionist, duke insistuar se ëndrra e tij ishte të bëhej futbollist profesionist, pasi të martën e mori çmimin e pestë rekord “Këpuca e Artë”.

Lionel Messi e ka marrë çmimin e pestë rekord Këpuca e Artë, si golashënuesi më i mirë në të gjitha ligat evropiane sezonin e kaluar.

Superylli argjentinas tani e kalon Cristiano Ronaldon, që i ka katër, në listën e futbollistëve me më së shumti çmime të “Këpucës së Artë”.

“E vërteta është se nuk e prisja të gjithë këtë kur e nisa karrierën. Ëndrra ime ishte të bëhesha futbollist profesionist dhe të korrja sukses. E dua futbollin dhe kurrë nuk kam imagjinuar kaq shumë. E gjitha është falë punës dhe përpjekjeve të mëdha”, tha Messi pasi e mori çmimin.

Superylli argjentinas i falënderoi bashkëlojtarët dhe ekipin e vet Barcelonën për këtë arritje rekord.

“Rreth meje i kam lojtarët më të mirë në botë nëpër pozitat e tyre përkatëse dhe jam në ekipin më të mirë në botë, prandaj është shumë më lehtë t’i arrij synimet si këto”, shtoi ai.

Messi i shënoi 34 gola në ligën elitare spanjolle, La Liga, sezonin e kaluar duke i ndihmuar Barcelonës ta fitojë titullin, po ashtu. Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah ishte i dyti me 32 golat e tij në Premierligë.

Messi e ka fituar këtë trofe në sezonet 2009-10 (34 gola), 2011-12 (50 gola), 2012-13 (46 gola), 2016-17 (37) dhe tani 2017-18 (34 gola).

31-vjeçari është golashënuesi më i mirë në histori të Barçës, me 572 gola në 655 ndeshje.

Këpuca e Artë ndahet nga European Sports Media, një shoqatë e gazetave dhe revistave evropiane të sportit. 

 

(Kosova Sot)