Higuaini i paralajmëron gazetarët: Nëse po kërkoni probleme...

  • 17 January 2019 - 10:32
Higuaini i paralajmëron gazetarët: Nëse po kërkoni probleme...

Qendërsulmuesi argjentinas i Milanit, Gonzalo Higuain, i paralajmëroi gazetarët pas ndeshjes kundër Juventusit, në kuadër të Super Kupës së Italisë, duke thënë se nëse po kërkojnë probleme me të, nuk do ta arrijnë qëllimin.

Goli i shënuar me kokë nga Cristiano Ronaldo në minutën e 61-të ishte kontrovers, mirëpo ia siguroi Juventusit fitoren me rezultat 1-0 në stadiumin King Abdullah Sports City të Arabisë Saudite. Juventusi u bë klubi i parë që e fitoi titullin për të tetën herë.

Higuaini kishte qenë në bankën rezervë deri në minutën e 70-të të ndeshjes, kur e zëvendësoi Samu Castillejon. Trajneri Gennaro Gattuso tha para ndeshjes se argjentinasi ishte lënë në stol për shkak të gjendjes shëndetësore.

Pasi përfundoi ndeshja, MilanNews publikoi një video ku shihej Higuaini dhe bashkëlojtarët e tij pasi u kthyen nga Jeddah të Arabisë Saudite, në aeroportin Milan Malpensa.

“A je i lumtur që do të ribashkohesh me Sarrin në Chelsea?”, e pyeti një gazetar argjentinasin.

“Nëse po kërkoni probleme me mua, nuk do ta arrini qëllimin”, iu përgjigj Higuaini.

Kjo deklaratë e Higuainit vjen pasi Sky Sports Italia raportoi se Juventusi kishte arritur marrëveshje me Chelsean për transferimin e Higuainit, duke e ndërprerë në gjysmë marrëveshjen për huazimin e argjentinasit në Milan. 

(Kosova Sot)