Trajneri i Republikës Çeke: Tifozët i ndihmojnë Kosovës në shtëpi
Trajneri i ekipit kombëtar të Republikës Çeke, Jaroslav Silhavy, e ka komentuar grupin e skuadrës së tij për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020, ku do të përballet edhe me Kosovën.
Përveç këtyre dy skuadrave, në Grupin A marrin pjesë edhe Anglia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Ndeshjet për kualifikim në EURO 2020 do të fillojnë qysh sonte, kur skuadra e Silhavyt do ta vizitojë skuadrën favorite të këtij grupi, Anglinë
Megjithatë, trajneri Silhavy beson se skuadra e tij duhet të jetë e kujdesshme edhe në ndeshjet ndaj Kosovës dhe Malit të Zi, pasi që beson se që të dy këto kombëtare kanë skuadra të mira.
“Kosova dhe Mali i Zi kanë lojtarë që luajnë në liga shumë të forta. Ata kanë epërsi në ndeshjen në shtëpi për shkak të tifozëve, që i japin mbështetje të mrekullueshme”, ka thënë Silhavy.
“Sa i përket Kosovës, mendoj se ata janë ekipi më i mirë nga vazo e pestë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë asnjë kundërshtar”.
Kosova është ekipi kombëtar me rangimin më të ulët nga ky grup, megjithatë ecuria e mirë gjatë kohës së fundit dhe suksesi në Ligën e Kombeve ka dëshmuar se skuadra e Bernard Challandes ka potencial për ta kaluar edhe këtë sfidë, kualifikimin në EURO 2020.
(Kosova Sot)