Statistikat e tmerrshme të Panuccit me Shqipërinë

  • 23 March 2019 - 11:26
Statistikat e tmerrshme të Panuccit me Shqipërinë

FSHF ka njoftuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me Panuccin, pas humbjes së Shqipërisë 0-2 në “Loro Boriçi” nga Turqia, e 9-ta në 15 ndeshje me Kombëtaren shqiptare.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e ka humbur durimin mbas humbjes së mbrëmshme me Turqinë, dhe ka reaguar menjëherë duke e shkarkuar Christian Panuccin.

“Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ditën e sotme ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Christian Panucci. E falënderojmë trajnerin Panucci për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.

Federata Shqiptare e Futbollit gjithashtu bëri të ditur se “ekipi kombëtar në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në udhëtim do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual”.

Përplasjet me lojtarët, sikurse ishte rasti i fundit me Strakoshën dhe Lenjanin, por sidomos zhgënjimi i mbrëmshëm, i shoqëruar me kontestime të forta nga tifozët kuqezinj, i ka vënë vulën gjithçkaje. Sot ka ardhur zyrtarizimi i “divorcit”, që u përfol shumë në mbyllje të eliminatoreve të Ligës së Kombeve, por u shty në kohë për shkak se Duka vendosi t’i besojë.

Gjatë drejtimit të tij, Kombëtarja shqiptare ka luajtur 15 ndeshje, nga të cilat 6 prej tyre miqësore.

Nga ky total sfidash, Kuqezinjtë kanë regjistruar 4 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje.

Panucci debutoi në ndeshjen kualifikuese të 2 shtatorit 2017, me fitoren 2-0 ndaj Liechtenstein dhe e mbylli me humbjen e mbrëmshme, ndaj Turqisë.

Golaverazhi i kombëtares nën drejtimin e italianit është tejet negativ: 9 gola të shënuar dhe 25 të pësuar. 

Image

(Kosova Sot)