Juventusi dëshiron ta kthejë Pogbën, i hyn garës kundër Real Madridit

  • 10 April 2019 - 15:30
Juventusi dëshiron ta kthejë Pogbën, i hyn garës kundër Real Madridit

Real Madridit i është vështirësuar puna për ta transferuar Paul Pogbën gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që tani në garë për mesfushorin francez ka hyrë edhe ish-klubi i tij, Juventusi.

E përditshmja italiane, Calcio Mercato, raporton se Juventusi nuk po pranon të japë dorëheqje në garën me Real Madridin për ta transferuar mesfushorin e Manchester Unitedit, Paul Pogbën.

Gjatë kohës së fundit është spekuluar se përkundër që Pogba është i lumtur në Manchester United, ai preferon ta vazhdojë karrierën e tij diku tjetër, dhe së fundi deklaroi se të qenit pjesë e ReaL Madridit është një ëndërr e tij.

Më herët ishte spekuluar edhe për një kthim të tij të mundshëm në Torino, nga ku u largua gjatë verës së vitit 2016, kur u bë lojtari më i shtrenjtë në botë, pasi u kthye në Manchester United për 110 milionë euro.

Gazetari italian Fabrizio Romano raporton se Juventusi kishte tentuar tri herë ta transferonte Pogbën gjatë afatit kalimtar të verës së vitit të kaluar, mirëpo Manchester Unitedi nuk pranoi ta shesë francezin.

Ole Gunnar Solskjaer dëshiron ta mbajë atë edhe më tutje në skuadër dhe dëshiron ta ndërtojë skuadrën e tij rreth Pogbës. Megjithatë, klubi nuk po e ka të lehtë ta bindin yllin e skuadrës, i cili duket se nuk dëshiron ta vazhdojë karrierën në “Old Trafford”.

Por, përveç dëshirës së Manchester Unitedit për ta mbajtur Pogbën në skuadër, Juventusi do të duhet ta kalojë edhe një pengesë tjetër: Real Madridin. 

(Kosova Sot)