Reagon Kloppi pasi tifozët e Chelseat e quajtën Salahun bombardues

  • 12 April 2019 - 15:26
Reagon Kloppi pasi tifozët e Chelseat e quajtën Salahun bombardues

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i ka komentuar thirrjet islamofobe të disa tifozëve të Chelseat, të cilët mbrëmë e kishin cilësuar Mohamed Salahun si bombardues, për shkak që i takon fesë islame.

Tre tifozë të Chelseat u pezulluan nga stadiumi i Slavia Pragues pasi u zunë nga rojet e sigurimit të klubit londinez, duke bërë thirrje raciste, islamofobe ndaj sulmuesit të Liverpoolit, Mohamed Salah.

Liverpooli e Chelsea i lëshuan menjëherë dy deklarata të fuqishme kundër thirrjeve të tifozëve të Chelseat, të cilët këndonin “Salah është bombardues” sipas ritmit të këngës “September” nga Earth Wind and Fire.

Rojet e sigurimit të Chelseat ishin të pranishëm dhe nuk i lejuan këta tre tifozë të hynë në stadium për ndeshjen e klubit të tyre në Europa League kundër Republikës Çeke.

“Është e gërditshme. Është diçka që nuk duhet të ndodhë asnjëherë. Ne nuk duhet ta shohim këtë si diçka e Liverpoolit apo e Chelseat”, është shprehur në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Chelseat në fundjavë.

“Është e vërtetë që ishin vetëm disa njerëz, por sa më i fuqishëm që të jetë reagimi, aq më shumë do të ndihmojë që gjëra të tilla të shmangen në të ardhmen”.

Tifozët e Chelseat janë përballur me akuza për racizën disa herë këtë sezon, por edhe sezonet e kaluara. Klubi londinez ka reaguar ndaj këtyre rasteve të kaluara duke i identifikuar personat që i kanë bërë këto veprime dhe duke mos i lejuar ata të vijnë më në stadiumin Stamford Bridge.

Chelsea dhe Liverpooli do të përballen të dielën në Anfield, në kuadër të Premierligës. Kjo ndeshje është e rëndësishme për të dy skuadrat, pasi që humbja ia dëmton Liverpoolit shpresat për titull, ndërsa Chelseat shpresat për një vend në top katërshe.

(Kosova Sot)