Reagimi i Pogbës pas golit të parë të Messit

  • 17 April 2019 - 14:29
Reagimi i Pogbës pas golit të parë të Messit

Barcelona e siguroi një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, falë paraqitjes së argjentinasit Lionel Messi, i cili e drejtoi skuadrën katalonase me dy golat në pjesën e parë të ndeshjes.

Lionel Messi shënoi dy herë në pjesën e parë të ndeshjes, duke i ndihmuar Barcelonës ta fitojë këtë përballje me rezultat 3:0 dhe ta sigurojë një vend në kuadër të gjysmëfinaleve, ku do të përballet me fituesit e çerekfinales mes Liverpoolit dhe Portos

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë ishte mbajtur i heshtur në fitoren 1:0 të Barcelonës në “Old Trafford” javën e kaluar, por ai u tregua shumë i rrezikshëm në ndeshjen e mbrëmshme. Dy golat e tij brenda tre minutave lojë ia shuan shpresat për kualifikim në gjysmëfinale Manchester Unitedit.

Përderisa goli i dytë erdhi për shkak të një gabimi të portierit David de Gea, goli i parë i Messit, në minutën e 16-të të ndeshjes, e kishte lënë të shtangur yllin e Manchester Unitedit, Paul Pogbën.

Rezultati i kësaj ndeshje bëri që Manchester Unitedit të humbë me rezultat të përgjithshëm prej katër apo më shumë golave në fazën eliminatore të garës evropiane për herë të parë në histori të klubit.

Disfatat më të mëdha të mëhershme të klubit ishin: 5:2 kundër Milanit në gjysmëfinalen e Kupës Evropiane 1957/58 dhe 4:1 kundër Atletico Madridit në 1/8 e finales së Kupës së Fituesve të Kupës 1991/92.

Rezultati i së martës e thelloi një ecuri të dobët të Manchester Unitedit në ndeshjet e fundit, pasi që klubi anglez i ka humbur pesë nga shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Kjo ecuri e dobët filloi pas fitores sensacionale ndaj Paris Saint-Germainit në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Tani që ëndrrat për triumf në Evropë iu shuan, Manchester Unitedi do të përqendrohet që ta zë një vend në top katërshen e Premierligës. Të dielën ata do të përballen me Evertonin. 

(Kosova Sot)