Frankfurti e mohon se ka arritur marrëveshje me Real Madridin për Jovic

  • 05 May 2019 - 08:51
Frankfurti e mohon se ka arritur marrëveshje me Real Madridin për Jovic

Eintracht Frankfurti i ka hedhur poshtë lajmet se ka arritur marrëveshje me Real Madridin për transferimin e sulmuesit Luka Jovic në Bernabeu këtë verë.

Serbi ka mahnitur me formën e tij për klubin gjerman në Bundesligë dhe në Europa League këtë sezon, duke nxitur spekulimet rreth të ardhmes së tij.

Në fundjavë u raportua se Real Madridi tashmë kishte arritur ujdi me klubin gjerman për transferimin e tij në verë për 60 milionë euro. Frankfurti, megjithatë, mohon të ketë arritur çfarë do akordi me gjigantin spanjoll.

Prandaj, përkundër interesimit të Los Blancos, asgjë nuk është vendosur rreth të ardhmes së Jovic.

“Nuk kemi pasur asnjë kontakt me Real Madridin. Nuk është gënjeshtër, vërtet nuk kemi kontaktuar me Real Madridin. Unë i njoh ata shumë mirë”, tha drejtori sportiv i Frankfurtit për ESPN, Fredi Bobic.

Sipas mediave në Spanjë, përveç Madridit, edhe PSG-ja është shumë e interesuar për shërbimet e Jovic. 

(Kosova Sot Online)