Për këtë arsye Prishtina është më afër titullit se sa Feronikeli

  • 12 May 2019 - 20:14
Për këtë arsye Prishtina është më afër titullit se sa Feronikeli

Dy ndeshja pa u mbyllur kampionati, dilema e titullit të kampionit mbetet shumë e madhe. Pas humbjes së Llapit ndaj Prishtinës në garë kanë mbetur vetëm dy skuadra, Feronikeli e Prishtina. “Nikli” i prinë tabelës me 2 pikë më shumë por në ndeshjen e radhës e pret një udhëtim shumë i vështirë ku ndeshet me Llapin, derisa Prishtina me Trepçën’89 dhe kjo lë të kuptohet se gjithçka pritet të vendoset në ndeshjen e fundit në të cilën ballafaqohen Feronikeli e Prishtina në Drenas.

Ish futbollisti i mirënjohur kosovar, Erdin Hashani në një bisedë për “Kosova Sot Online” parasheh një luftë shumë të ashpër dhe tejet të paparashikuar. Ai po beson se pikërisht takimi i ndërsjellë ndërmjet Feronikelit e Prishtinës do të vendosë gjithçka.

Image

“Nëse Llapi arrin që ta ndalë Feronikelin në Podujevë, atëherë Prishtina është më afër titullit, por nëse nuk arrin që me e ndalë, atëherë unë mendoj që titulli ka mu vendos në ndeshjen e fundit”, ka thënë Hashani i cili fundjavën e sheh si shumë të nxehtë.

“Ndeshja e radhës është si finale për këto dy skuadra, për ta pritur pastaj atë finalen e madhe që do të zhvillohet në Drenas, e që besoj që ka me qenë shumë interesimi i madh”, vlerësoi Hashani duke shtuar:

“Sa i përket se kë e favorizoj në ndeshjen e fundit, është e vështirë sepse nëse me këtë diferencë të pikëve luhet ndeshja e fundit në Drenas, atëherë ka përparësi Feronikeli sepse luan si vendas dhe po ashtu do t’i konvenojë edhe një barazim dmth i ka në favor të dy rezultatet, barazimin dhe fitoren. Por nëse e analizojmë dhe e shikojmë Prishtina në ndeshje e mëdha, është skuadër shumë e fortë, sepse në ndeshje vendimtare gjithmonë në këto vitet e pasluftës ka dal triumfuese për shkak të traditës që e ka.

Image

Një është e sigurt që kurrë prej mas lufte në kampionat më interesant nuk kemi parë, kjo është e mira e futbollit, sepse sot nuk po kemi favorit”, ka përfunduar Hashani.