Mbyllen pesë ndeshjet e IPKO Superligës, këto dy skuadra përfundojnë në barazh
Janë mbyllur pesë ndeshjet e xhiros së fundit të kampionatit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, ku janë arritur rezultate kryesisht të pritshme. Gjilani dhe Trepça ’89 kanë përfunduar në barazh
Janë mbyllur tashmë pesë ndeshjet e xhiros së 32-të dhe të fundit të këtij sezoni në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Në bazë të rezultateve të arritura sot, Gjilani dhe Trepça ’89 përfundojnë në barazh.
Mitrovicasve nuk iu mjaftoi fitorja ndaj KEK-ut me rezultat bindës me golat e Hasan Hysenit, Lassine Traore e Franck Herman, kurse gjilanasit u dorëzuan përballë Ferizajt, nga i cili humbën 2:1.
Golat për ferizajasit i shënuan Qëndrim Dautaj e Dardan Çerkini në pjesën e dytë, kurse Wilber Perez i kishte kaluar në epërsi gjilanasit në atë të parë.
E skuadrat që iu shmangën barazhit janë Flamurtari, Ballkani dhe Drenica.
Kuqezinjtë prishtinas e mposhtën Llapin me rezultat 3:2.
Për flamurtarët dy gola i shënoi Mërgim Boshnjaku e një tjetër Alban Shillova.
Kurse, për llapjanët shënuan Behar Maliqi e Ahmed Januzi.
E therandasit ishin më të mirë se Drita, 2:0. Golat për ekipin Portokalli i shënoi Blend Baftiu.
Kurse, Kuqezinjtë drenicas fituan në Prizren ndaj Lirisë me rezultat 3:1.
Golat për Drenicën i shënuan Osman Mëziu dhe Armend Abazi dy herë.
Ndërkaq, golin e vetëm dhe të pamjaftueshëm për prizrenasit e shënoi Diellor Beseni.
(Kosova Sot Online)