Milani pret një dhuratë nga Sassuolo

  • 20 May 2019 - 12:01
Milani pret një dhuratë nga Sassuolo

Ashtu si ishte paralajmëruar prej kohësh, Milani do të bëjë revolucion në mesfushë dhe që tani ka bërë një goditje në merkato, e para e epokës Elliott Management Corporation për këtë verë.

Sipas Tuttosport, klubi kuqezi ka mbyllur marrëveshjen për blerjen e mesfushorit Stefano Sensi nga Sassuolo, i cili ka kohë që ndiqet nga klubet kryesore në Itali.

Një lëvizje që duket se ka për autor Ivan Gazidis, sepse Sensi është i ri, me eksperiencë dhe vlen shumë në treg për të ardhmen, ashtu si Krzysztof Piatek e Lucas Paquetà.

Duke parë se në verë do të largohen Riccardo Montolivo, José Mauri, Andrea Bertolacci e Tiémoué Bakayoko, Sensi është një përforcim i shkëlqyer, por Tuttosport saktëson se zyrtarizimi do të vijë vetëm pas përfundimit të kampionatit, për të mos trazuar situatën pikërisht para Sassuolo-Atalanta, aty ku Milani shpreson që Sassuolo të ndalë bergamaskët, çka do të çonte Milanin në Champions, gjithnjë nëse fiton në Ferrara ndaj Spalit.

Sensi do të transferohet te Milani për 25 milionë euro, por do të paguajë vetëm 13 milionë, sepse 12 të tjera llogariten për transferimin përfundimtar të mesfushorit Locatelli te Sassuolo. Vetë Sensi do të firmosë kontratë 5-vjeçare, me rreth 2 milionë euro pagë në sezon.

(Kosova Sot Online)