Neymarit i merret shiriti i kapitenit të Brazilit
Neymarit i është marrë shiriti i kapitenit të ekipit kombëtar të Brazilit, para ndeshjeve të muajit të ardhshëm në Kupën e Amerikës.
Ylli i Paris Saint-Germainit u bë kapiten i Brazilit para tetë muajve, por tani është informuara nga trajneri Tite që ai nuk do të jetë më lideri i Kombëtares braziliane.
Roli i kapitenit të skuadrës i është dhënë bashkëlojtarit të Neymarit në Paris Saint-Germain, Dani Alvesit.
Neymari ka qenë i përfshirë për disa probleme disiplinore gjatë kohës së fundit dhe kjo ka bërë që ai ta humbë shiritin e kapitenit të Brazilit.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën, Konfederata Braziliane e Futbollit, tha: “Vendimi iu bë i ditur Neymarit nga Tite të shtunën”.
“Daniel Alvesi do të jetë kapiten i ekipi kombëtar të Brazilit në ndeshjet miqësore kundër Katarit dhe Hondurasit dhe në Kupën e Amerikës, Brazil 2019”.
Më herët këtë muaj, autoritetet e futbollit në Francë e dënuan Neymarin me tri ndeshje pezullim, pasi që ai e grushtoi një tifoz pas humbjes në finale të Kupës së Francës kundër Rennes.
Ai ishte përfshirë edhe në një përleshje në zhveshtore me bashkëlojtarët e tij pas kësaj disfate.
Neymari është dënuar me tri ndeshje pezullim edhe nga UEFA në Ligën e Kampionëve, pasi që i ofendoi zyrtarët e ndeshjes pas eliminimit nga Liga e Kampionëve kundër Manchester Unitedit në prill.
(Kosova Sot Online)