Kosovare Asllani flet pas lëndimit në ndeshjen kundër SHBA-së

  • 21 June 2019 - 08:18
Kosovare Asllani flet pas lëndimit në ndeshjen kundër SHBA-së

Tri pikët e humbura në ndeshjen e së enjtes kundër SHBA-së në Kampionatin Botëror të vajzave nuk ishin i vetmi lajm i keq për Suedinë dhe Kosovare Asllanin mbrëmë. Futbollistja me prejardhje nga Kosova e pësoi një lëndim gjatë ndeshjes.

Suedia është kualifikuar si e dyta nga Grupi F në rundin tjetër të Kampionatit Botëror të vajzave, pasi u mund në ndeshjen e fundit nga Amerika.

Kosovare Asllani, e cila e nisi nga fillimi edhe ndeshjen e tretë në Botëror, nuk mundi ta ndihmojë Suedinë që të rrëmbejë grupin, duke humbur 0-2 nga Amerika.

Ajo luajti për 79 minuta në këtë ndeshje, por afër fundit u zëvendësua nga suedezja Lina Hurtig. Në intervistën pas ndeshjes u zbulua se ajo e kishte lënduar kyçin e këmbës së djathtë gjatë ndeshjes.

“E pësova një goditje në kyç dhe ne duhet ta ekzaminojmë atë sepse nuk kemi arritur ta bëjmë ende këtë gjë. Shpresoj që nuk është serioze, por do ta shohim”, u shpreh Asllani pas ndeshjes.

Image
Image

 

 

(Kosova Sot Online)