Kuka: Ligji për Sponsorizim do të hyjë në fuqi më 1 janar të 2020

  • 27 June 2019 - 23:40
Kuka: Ligji për Sponsorizim do të hyjë në fuqi më 1 janar të 2020

Votimi i Ligjit për Sponsorizime ka gëzuar gjithë komunitetin sportiv

 Selektori i Kosovës në Xhudo, Driton Kuka, votimin e sotëm të Ligjit për Sponzorizime në Sport dhe Kulturë, e cilësoi si një lajm të gëzueshëm për komunitetin sportiv.

“Së pari është lajm i gëzueshëm për komunitetin sportiv. Unë rastisa të jem në Prishtinë sot, afër Kuvendit dhe në momentin që mora lajmin që është votuar ligji me një numër të konsiderueshëm të votave. U takova me kryetarin e Parlamentit, i shpreha falënderimet e mija në emër timin personal, të ekipit tim, por edhe të gjithë komunitetit sportiv.”, tha ai.

Kuka tha se në takimet që i zhvilloi sot me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin dhe njerëzit kompetent, pas miratimit të këtij ligji, u njoftua që ky ligj parimisht do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2020.

“Një ligj, i kaluar kohë më parë, Ligji i Sponzorizimit, të cilin unë si laik i ekonomisë, e kom mendu që është kry, dhe faktikisht tani vetëm shkon në gjetjen e sponsorëve potencial edhe ata i kanë lehtësirat tatimore sipas ligjit, po ajo s’ka ndodhe edhe mandej u njoftova edhe me procedurën tjetër, e cila për fat të mirë sot e ka marrë atë formën finale, edhe faktikisht për me i njoftu të gjithë ata njerëzit që presin që ndoshta qysh nesër do të fillojnë, unë u njoftova edhe nga njerëzit kompetent aty sot, takimet që i pata se ky ligj mund të hyjë në fuqi, prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, për arsye të rregullimit të dokumentacionit të ATK-së, harmonizimit të financave, të cilat unë nuk i njoh aq mirë, por në parim ligji fuqizohet me 1 janar të vitit 2020, dhe prej atëherë mund të ndodhin këto përkrahjet nga sponsorët potencial për klubet, individët, sportistët edhe normalisht federatat.”, tha ai.

Sot Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Me 73 vota pro, asnjë kundër dhe dy abstenime. Deputetët votuan për harmonizimin e Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

(Kosova Sot Online)