Dani Alves shpallet lojtari më i mirë i Kupës së Amerikës

  • 08 July 2019 - 08:43
Dani Alves shpallet lojtari më i mirë i Kupës së Amerikës

Dani Alves është shpallur lojtari më i mirë i turneut të Kupës së Amerikës 2019, pasi i ndihmoi Brazilit ta fitojë atë për herë të parë që prej vitit 2007.

Brazili i mundi 3:1 Perunë në finalen e së dielës në Marakana, falë golave nga Everton, Gabriel Jesus dhe Richarlison.

Alves pati paraqitje mbresëlënëse veçanërisht duke pasur parasysh moshën e tij, 36 vjeç, gjatë gjithë turneut dhe në fund u shpërblye me çmimin lojtari më i mirë.

Mbrojtësi i djathtë është lojtar i lirë këtë verë, pasi u largua nga Paris Saint-Germaini pas skadimit të kontratës dhe pas paraqitjeve në Kupën e Amerikës, sigurisht shumë klube do të presin në radhë për të.

Ndërkohë, Everton u shpall lojtari më i mirë i finales, pasi shënoi një gol dhe e fitoi një penallti, si dhe njëkohësisht u zgjodh golashënuesi më i mirë i turneut.

Portieri Alisson, në anën tjetër, e fitoi dorezën e artë pasi deri në finale nuk kishte pranuar asnjë gol.

(Kosova Sot Online)