Wimbledon: Bëhuni gati për një super gjysmëfinale, Federer-Nadal
Roger Federer dhe Rafael Nadal do të takohen në Wimbledon për herë të parë që prej vitit 2008, pasi të dy tenistët e arritën gjysmëfinalen e turneut të sivjetmë të grand slamit më prestigjioz në tenis.
Federeri e mposhti Keu Nishikorin në katër sete, 4:6, 6:1, 6:4, 6:4, duke e siguruar fitoren e 100-të në Wimbledon, derisa Nadal e mundi Sam Querrey në tre sete, 7:5, 6:2, 6:2.
Në finalen e vitit 2008, takimin e fundit mes tyre në këtë turne, spanjolli Nadal fitoi 9:7 në setin e pestë kundër zviceranit Federer në një finale të prekur nga shiu që zgjati gati shtatë orë.
Së bashku, ata i kanë fituar 10 tituj në Wimbledon, 8 Federer dhe 2 Nadal.
Ndërkohë, në gjysmëfinalen tjetër do të takohen Novak Djokovic dhe Roberto Bautisa Agut.
Të dy duelet gjysmëfinale zhvillohen të premten, ndërsa finalja të dielën.
(Kosova Sot Online)