Serbët ndihen të turpëruar: Kosova mori pjesë në Universiadën Verore e ne jo!

  • 30 July 2019 - 14:23
Serbët ndihen të turpëruar: Kosova mori pjesë në Universiadën Verore e ne jo!

Serbët ndihen të turpëruar me faktin se ata nuk morën pjesë në Universiadën Verore në Napoli të Italisë, e në ndërkohë Kosova, të cilën nuk e njohin si shtet, ishte pjesëmarrëse në këtë garë studentësh

Kosova mori pjesë në Universiadën Verore, e cila u mbajt nga 3 deri më 14 korrik në Napoli të Italisë.

Ndërkohë, Serbia nuk ishte pjesë e kësaj gare të studentëve shkaku i mungesës së mjeteve financiare.

“Turp. Serbia nuk ishte në Universiadë. Kosova ishte aty, po ku jemi ne? Kjo nuk kishte ndodhur edhe në sanksionet më të mëdha që i kishim”, ka shkruar mediumi serb “espreso.rs”.

“Edhe pse në Universiadën Verore të dy vjetëve më parë në Taipein Kinez, sportistët tanë i kishin fituar katër medalje të arta, këtë vit Serbia mbeti pa asnjë përfaqësues sepse Ministria e Rinisë dhe e Sportit nuk ia pagoi paratë Federatës së Sportit Universitar të Serbisë”, vazhdon tutje shkrimi.

Studentët nga 119 shtete garuan në Napoli këtë vit në 18 sporte me një total prej 220 disiplinash.

Në këtë eveniment morën pjesë garuesit e të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë, ndërsa kroatët dhe sllovenët fituan medalje të bronzta

Dhe, mediat serbe janë çartur për faktin se si Kosova, të cilën shteti i tyre nuk e njeh, mori pjesë në Universiadë, e Serbia jo.

(Kosova Sot Online)