Lampardi e lavdëron Pulisicin pas paraqitjes mbresëlënëse

  • 01 August 2019 - 08:40
Lampardi e lavdëron Pulisicin pas paraqitjes mbresëlënëse

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, ishte shumë i kënaqur me paraqitjen e Christian Pulisicit në ndeshjen miqësore kundër Salzburgut, të cilën londinezët e fituan me rezultat 5:3 të mërkurën.

Christian Pulisic u transferua në Chelsea gjatë afatit kalimtar të janarit, mirëpo ai u huazua sërish në Borussia Dortmund për ta mbyllur sezonin e tij të fundit në Bundesligë.

Ai është futbollisti i vetëm i ri në skuadrën e Chelseat për sezonin e ardhshëm, pasi që klubi londinez është dënuar nga FIFA dhe nuk i lejohet transferimi i futbollistëve të rinj për dy afate kalimtare.

Ylli i ekipit kombëtar të SHBA-së, Pulisic, ishte në formë të jashtëzakonshme gjatë pjesës së parë, duke i shënuar dy gola dhe duke e fituar një penallti, të cilët e shënoi Ross Barkley.

Shpejtësia dhe saktësia e Pulisicit afër portës ishte më e vërejtura dhe trajneri i ri i Chelseat, Lampardi, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ish-yllit të Dortmundit.

“Mua më bëri shumë përshtypje mënyra se si ai i shënoi golat. Si anësor në Premierligë, ai duhet të përshtatet në këtë ligë të re”, u shpreh Lampardi pas ndeshjes.

“Ai është i ri, por ka potencial të madh dhe unë jam i lumtur për të”.

Chelsea do ta mbyllë turneun parasezonal të shtunën, kur do të përballet në ndeshjen miqësore të fundit për këtë verë me Borussia Monchengladbach.

(Kosova Sot Online )