Trajneri i Werderit zbulon periudhën kur do të kthehet Rashica!

  • 22 August 2019 - 14:00
Trajneri i Werderit zbulon periudhën kur do të kthehet Rashica!

Trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt ka thënë se lëndimi i Milot Rashicës nuk është aq dramatik sa është bërë të duket. Ai pret që ylli kosovar të rikthehet pas ndeshjeve të Kombëtareve, respektivisht kah mesi i shtatorit

Lëndimi i Milot Rashicës e ka shokuar Werder Bremenin, por edhe Përfaqësuesen e Kosovës.

Futbollisti kosovar u lëndua në ndeshjen ndaj Fortuna Dusseldorfit në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Bundesligë.

Ylli kosovar pësoi tërheqje muskulore në kofshë të këmbës, që nënkupton se ai do të mungojë disa javë.

Mirëpo, trajneri Florian Kohfeldt thotë se situata nuk është dramatike siç pritej pasi ekzistonte frika se ai do të mungonte për një kohë të gjatë. 

Sidoqoftë, trajneri i Werder Bremenit nuk pret që vushtrriasi të rikthehet para ndeshjeve të Kombëtareve, që nënkupton se Rashica mund të kthehet kah mesi i shtatorit.

Me këtë rast, anësori kosovar sipas të gjitha gjasave do të mungojë në dy ndeshjet e “Dardanëve” në kualifikimet për Euro 2020 ndaj Republikës Çeke më 7 shtator dhe ndaj Anglisë më 10 të muajit që vjen.

“Situata nuk është dramatike siç ka mundur të jetë”, ka thënë trajneri i Werderit.

“Nisem nga fakti se futbollisti mund të rikthehet pas pauzës për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve”, ka shtuar ai.

Werder Bremen ka njoftuar se Rashica do të mungojë disa javë, pa e specifikuar se sa, pas kontrolleve mjekësore që ia bëri atij.

Me këtë rast, duket se 23 vjeçari do t’i humbë vetëm dy ndeshje kampionale, ndaj Hoffenheimit dhe Augsburgut.

Ai mund të kthehet kundër Union Berlinit më 14 shtator, në xhiron e katërt të Bundesligës.

Fillimisht flitej se Rashica mund të mungojë deri në shtatë javë.

(Kosova Sot Online)