Suarez për humbjen ndaj Liverpoolit: S’doja të dilja nga shtëpia, as t’i çoja fëmijët në shkollë

  • 04 September 2019 - 19:01
Suarez për humbjen ndaj Liverpoolit: S’doja të dilja nga shtëpia, as t’i çoja fëmijët në shkollë

Luis Suarez ka zbuluar se e kishte përjetuar aq rëndë humbjen kundër Liverpoolit, saqë i kishte humbur vullneti për të dalë nga shtëpia dhe për t’i çuar fëmijët në shkollë.

Duke e kujtuar disfatën historike në Anfield, Suarez tha: “Ne vuajtëm me ditë dhe javë të tëra. Ne, që duam t’i çojmë fëmijët në shkollë, nuk donim të dilnim nga shtëpia pas humbjes”.

Barcelona e kishte fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale 3:0 kundër Liverpoolit dhe praktikisht ishte me një këmbë në finale – të parën prej vitit 2015.

Megjithatë, skuadra e furishme e Jurgen Klopp i dha një goditje tjetër të rëndë gjigantit katalonas në Champions, duke e mposhtur 4:0 në ndeshjen e kthimit në Anfield. Liverpooli u shpall kampion i Evropës duke e mposhtur Tottenhamin në finalen e atij edicioni.

“Ishte shumë e komplikuar. Kam kaluar nëpër një periudhë të vështirë, njëjtë si bashkëlojtarët e mi”, shtoi ai.

Ai zbuloi se i kishte paralajmëruar shokët e skuadrës për atmosferën dhe terrenin e vështirë në Anfield.

“Ne e dinim sa i vështirë do të ishte Anfield dhe sesi ishte atmosfera. Iu tregova gjithçka bashkëlojtarëve të mi”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)