Higuaini shkelmon trajnerin gjatë stërvitjes me Juventusin

  • 17 September 2019 - 16:03
Higuaini shkelmon trajnerin gjatë stërvitjes me Juventusin

Sulmuesi i Juventusit, Gonzalo Higuain, e humbi kontrollin dhe e goditi një trajner dhe tabelat me reklama gjatë një seance stërvitore para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit.

ESPN e ka publikuar videon e këtij incidenti në seancën stërvitore, mirëpo përkundër që disa media të tjera pretendojnë se ai e bëri këtë në formë shakaje, mediumi amerikan s’raporton një gjë të tillë.

Në videon e mëposhtme shihet se argjentinasi nuk arrit ta kapë për pak topin gjatë seancës stërvitore dhe pastaj shihet duke e goditur njërin ndër trajnerët ndihmës të Maurizio Sarrit, si dhe tabelat e reklamave.

Më poshtë mund t’i shihni edhe incidentet e tjera në të cilat ai mori pjesë gjatë kohës sa ishte në Milan dhe Chelsea – dy klubet në të cilat e kaloi sezonin e kaluar në formë huazimi, para se të kthehej në Juventus këtë verë.

Fillimisht, ai e bëri një ndërhyrje, në formë shakaje, ndaj trajnerit të Milanit, Gennaro Gattusos. Më vonë, ai u largua drejt Chelseat, ku e kishte pasur një zënkë me David Luizin, gjë e cila e kishte lënë Sarrin, atëherë trajner i Chelseat, të zemëruar.

Juventusi do të përballet nesër në orën 21:00 me Atletico Madridin në stadiumin “Wanda Metropolitano”, në kuadër të Grupit D të edicionit të ri të Ligës së Kampionëve.

(Kosova Sot Online)