PSG e turpëron Realin, Juve i çon dëm dy gola epërsi ndaj Atleticos, fitojnë Bayern e Man City

  • 18 September 2019 - 22:58
PSG e turpëron Realin, Juve i çon dëm dy gola epërsi ndaj Atleticos, fitojnë Bayern e Man City

Paris Saint-Germain e ka turpëruar 3:0 Real Madridin, përkundër se i mungoi Neymar, Kylian Mbappe dhe Edinson Cavani. Juventusi e çoi dëm një epërsi prej dy golave kundër Atletico Madridit në Wanda Metropolitano për të barazuar 2:2. Bayern Munich dhe Manchester City fituan siç pritej ndaj Crvena Zvezdës dhe Shakhtar Donetsk, përkatësisht.

Ndërkohë, Dinamo Zagreb ka befasuar duke e turpëruar 4:0 Atalantan.

Paris Saint-Germain 3:0 Real Madrid

Edhe pse në mungesë të Neymar, Kylian Mbappe dhe Edinson Cavani, skuadra e Thomas Tuchel e shkeli Real Madridin, po ashtu me disa mungesa, si kapiteni Sergio Ramos dhe Dani Carvajal, Luka Modric, Isco dhe Marco Asensio, duke e mundur me shumë lehtësi në rikthimin e Zinedine Zidane në Ligën e Kampionëve.

Angel Di Maria dy herë në minutat 14’ dhe 33’ dhe Thomas Meunier në minutën e 90’, i siguruar një fitore mbresëlënëse kampionit të Ligë 1.

Zidane, i cili e fitoi këtë garë tri herë radhazi para se të largohej dhe të rikthej për të debutuar këtë sezon me Eden Hazard për herë të parë titullar për Los Blancos, duhet të jetë i zemëruar me skuadrën e tij për paraqitjen e sotme.

Reali nuk e pati asnjë goditje në portë gjatë gjithë ndeshjes.

Club Brugge dhe Galatasary barazuan pa gola në ndeshjen tjetër të grupit A.

Atletico Madrid 2:2 Juventus

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, duhet të jetë i tërbuar me lojtarët e tij, të cilët e lëshuan një epërsi prej d gola për të barazuar në fund 2:2 me një Atletico Madrid që s’di të dorëzohet.

Një pjesë e parë pothuajse e barabartë por me vendasit më kërkues, u mbyll pa gola.

Juventusi bëri lojë fantastike në fillim të pjesës së dytë dhe arriti ta thyejë akullin. Juan Cuadrado realizoi gol tejet të bukur në minutën e 48-të, para se Blasie Matuidi ta dyfishonte epërsinë në minutën e 65-të, pas një aksioni tjetër të bukur të italianëve.

Por, natyrisht djelmoshat e Diego Simeones nuk u dorëzuan dhe Stefan Savic e frymëzoi rikthimin me golin e tij me kokë në minutën e 70-të.

Hector Herrera, i futur në lojë nga stoli, shënoi po ashtu me kokë në minutën e 90-të dhe e shpëtoi Atleticon nga humbja.

Në ndeshjen tjetër të Grupit D mes Lokomotiv Moscow dhe Bayer Leverkusen, klubi rus fitoi 1:0 ndaj gjermanëve dhe e merr kryesimin e grupit.

(Kosova Sot Online)