Rodrygo s’do të luajë në derbin e Madridit

  • 27 September 2019 - 12:57
Rodrygo s’do të luajë në derbin e Madridit

Real Madridi u stërvit në kampin stërvitor “Valdebebas” të premten në mëngjes, me përqendrim të plotë në derbin e qytetit kundër Atletico Madridit, që do të zhvillohet të shtunën.

Në mesin e skuadrës së Zinedine Zidane që u stërvit sot në “Valdebebas”, mungesa më e vërejtshme ishte ajo e Rodrygo Goes, shkruan Marca.

Golashënuesi i golit të dytë të “Los Blancos” në fitoren me rezultat 2:0 kundër Osasunas, të mërkurën në mbrëmje, u stërvit me ekipin e të rinjve, të drejtuar nga Raul Gonzalez, për të cilët do të luajë këtë fundjavë.

Për shkak se ai u stërvit me Real Madrid Castillas e jo me ekipit e parë të madrilenëve, Rodrygo nuk do të jetë pjesë e listës së lojtarëve të zgjedhur nga trajneri Zidane për derbin e Madridit.

Dy mungesat e tjera nga seanca stërvitore e së premtes ishin Ferland Mendy dhe Marco Asensio, përderisa Isco dhe Luka Modrici duket se janë rikuperuar nga lëndimet muskulore.

Për Iscon dhe Modricin, seanca stërvitore e së premtes do të jetë kyçe për ta përcaktuar nëse ata do të jenë pjesë e skuadrës për derbin e qytetit dhe nëse ai do të jetë gati të luajë nga fillimi.

Marcelo gjithashtu u stërvit me pjesën tjetër të skuadrës, edhe pse mundësitë e tij për t’u bërë pjesë e listës për derbin e së shtunës janë shumë të vogla.

(Kosova Sot Online)