Wengeri e paralajmëron Pepen: Prite një luftë për vendin në Arsenal

  • 08 October 2019 - 11:42
Wengeri e paralajmëron Pepen: Prite një luftë për vendin në Arsenal

Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka paralajmëruar Nicolas Pepen se ai do të duhet të luftojë për ta mbajtur vendin e tij në formacionin e parë të klubit londinez nëse nuk përmirësohet.

Nicolas Pepe, i cili iu bashkua Arsenalit nga Lille për një shumë që besohet të jetë 72 milionë funte gjatë afatit kalimtar të verës, është kritikuar për fillimin e tij të ngadaltë në karrierën e tij me “Topçinjtë”.

24-vjeçari ka shënuar një herë në dhjetë paraqitjet në të gjitha garat për Arsenalin dhe ai ka luajtur plotë 90 minuta në katër ndeshje të Premierligës.

Pasi që lojtarët e rinj si Bukayo Saka dhe Gabriel Martinelli kanë qenë mbresëlënës në fazën e sulmit gjatë këtij sezoni, Wenger beson se Pepe mund të fillojë të ndihet nën presion për vendin në formacionin e parë të Unai Emeryt.

“Më pëlqen futbollisti dhe mendoj se transferimi i tij ishte vendimi i duhur. Ai ende nuk është përshtatur plotësisht dhe duhet t’i japim atij më shumë kohë. Ai duket se për momentin nuk po luan me lirinë me të cilën luante në Francë”, ka thënë Wengeri.

“I shoh disa karakteristika të stilit të lojës së tij, veçanërisht kur s’e ka topin në këmbë, që nuk vërehen gjatë gjithë kohës. Në anën tjetër, duhet të them se kemi lojtarë të rinj të mirë që mund të luajnë në krah dhe se ai duhet të luftojnë për mbajtur vendin e tij”.

Arsenali i ka fituar pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ndërsa fitorja me epërsi minimale 1:0 kundër Bournemouthit të dielën i ngriti “Topçinjtë” në pozitën e tretë në Premierligës, pas tetë xhirove.

(Kosova Sot Online)