Roja i sigurimit mbetet i lënduar pas përleshjeve mes tifozëve në “Fadil Vokrri”

  • 15 October 2019 - 11:39
Roja i sigurimit mbetet i lënduar pas përleshjeve mes tifozëve në “Fadil Vokrri”

Ndeshja e mbrëmshme mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk shkoi plotësisht sipas planit të organizatorëve në “Fadil Vokrri”. Një zënkë mes tifozëve të Kosovës dhe të Malit të Zi i la rojet e sigurimit me lëndime të lehta.

Kosova arriti ta sigurojë mbrëmë një fitore shumë të rëndësishme kundër Malit të Zi për ëndrrat për kualifikim në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohen verën e vitit të ardhshëm.

Djemtë e Bernard Challandes arritën ta gjejnë golin e parë qysh në minutën e dhjetë të ndeshjes, përmes Amir Rrahmanit, e atë të dytën në minutën e 34-të, përmes Vedat Muriqit.

Megjithatë, disa roje të sigurimit në “Fadil Vokrri” nuk arritën ta shijojnë plotësisht fitoren e Kosovës, pasi që ata mbeten të lënduar nga intervenimi për ta ndalur zënkën mes dy palëve të tifozëve, që zgjati disa minuta në tribunat e “Fadil Vokrrit”.

Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Kosovën e presin dy ndeshje të vështira në muajin nëntor – ajo kundër Çekisë si mysafire dhe pastaj në “Fadil Vokrri” kundër Anglisë. Këto do të jenë dy ndeshjet e fundit të Grupit A.

Por, edhe nëse Kosova s’arrin të radhitet në dy vendet e para të Grupit A, ajo e ka një mundësi tjetër për t’u kualifikuar – përmes play-offs kualifikues. Në gjysmëfinale të play-offs, Kosova përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale e pret ose Bjellorusia ose Gjeorgjia. 

(Kosova Sot Online)