Gjiganti italian hap llogari bankare për ta ndihmuar Shqipërinë, pas tërmetit vdekjeprurës

  • 26 November 2019 - 20:58
Gjiganti italian hap llogari bankare për ta ndihmuar Shqipërinë, pas tërmetit vdekjeprurës

Klubi italian Lazio e ka hapur një llogari bankare për mbledhjen e të hollave, me qëllim për t’i ndihmuar Shqipërisë, pas tërmeteve vdekjeprurëse që e goditen gjatë ditës së marte.

Njëzet e një persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Përveç ngushëllimeve dhe solidaritetit të shprehur, Lazio – klubi i famshëm nga kryeqyteti italian Roma – për të cilin luajnë dyshja shqiptare Thomas Strakosha i ekipit kombëtar kuqezi dhe Valon Berisha o ekipit kombëtar dardan, ka bërë një hap të madh për t’i dalë në ndihmë shqiptarëve të prekur nga kjo tragjedi.

Lazio, drejtor sportiv i të cilës është shqiptari Igli Tare, ka vendosur ta hapë një llogari bankare duke i lutur ndjekësit e vet në rrjetet sociale të dhurojnë para për t’iu ndihmuar të prekurve nga tërmetit 6.4 shkallë.

“Mbrëmë, një tërmet i fortë e goditi Shqipërinë. Dhimbja nuk përshkruhet me fjalë, prandaj është e nevojshme t’u ndihmojmë familjeve dhe personave të prekur”, ka shkruar Lazio në ueb faqen e vet zyrtare.

Duke treguar që e ka hapur llogarinë bankare si më poshtë, klubi italian ka bërë thirrje të dhurohen para në të për popullin shqiptar.

Image


(Kosova Sot Online)