Rivaldo: Ter Stegen meriton kontratë të re, por jo pagë si të Messit

  • 27 March 2020 - 08:41
Rivaldo: Ter Stegen meriton kontratë të re, por jo pagë si të Messit

Legjenda e Barcelonës, Rivaldo, shpreson se do ta shohë portierin gjerman Marc-Andre Ter Stegen të nënshkruajë kontratë të re me katalonasit, megjithatë insiston se ai s’duhet të ketë pagë të njëjtë me Lionel Messin dhe Luis Suarezin.

Katalonasit raportohet se po tentojnë ta bindin portierin e parë, Marc-Andre ter Stegenin të nënshkruajë kontratë të re, në mënyrë që ta mbajnë atë edhe për më gjatë në Camp Nou.

Gjermani ka qenë në negociata me drejtuesit e klubit që një kohë të gjatë sa i përket të ardhmes së tij, pasi që kontrata e tij aktuale përfundon në verën e vitit 2022.

Megjithatë, gazeta spanjolle Sport raporton e bindur se Ter Stegen dëshiron të qëndrojë në Camp Nou përtej vitit 2022, mirëpo mendon se e meriton të jetë ndër më të paguarit në klub për shkak të kontributit që e ka dhënë në klub.

Ter Stegen nuk është shprehur i bindur për të ardhmen e tij kur është pyetur nga gazetarët, përderisa mediumet spanjolle dhe angleze e lidhin atë me një interesim nga gjiganti i Premierligës, Chelsea.

Barcelona kishte shpresuar t’u japë fund këtyre spekulimeve duke e bindur Ter Stegenin të nënshkruajë kontratë të re, megjithatë kërkesat e gjermanit kanë ndikuar që ky tentim të mos ketë sukses deri më tani.

Kjo pasi që Goal ka mësuar se Ter Stegen po kërkon pagë rreth 15 milionë euro në vit, që do ta vendoste mbi të gjithë të tjetër në Camp Nou, përveç Lionel Messit.

“Barcelona po negocion për rinovim kontrate me portierin Ter Stegen dhe unë pajtohem që ai meriton të paguhet më shumë për gjithçka që ka bërë për klubin gjatë këtyre viteve të fundit”, ka thënë Rivaldo.

“Natyrisht, gjithçka do të varet nga kërkesat e lojtarit, pasi që unë nuk besoj se ai duhet të fitojë aq para sa Suarezi apo Messi, por ai duhet të bëhet njëri ndër anëtarët më të paguar të skuadrës”.

(Kosova Sot Online)