Juventusi s’dëshiron të mbyllet sezoni para kohe, edhe pse do të mundë të shpallej kampion

  • 01 May 2020 - 15:54
Juventusi s’dëshiron të mbyllet sezoni para kohe, edhe pse do të mundë të shpallej kampion

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, ka deklaruar se bardhezinjtë e kanë synim të qartë kompletimin e sezonit 2019/20, përkundër që nëse sezoni do të përfundohej para kohe atyre mund t’u konvenonte për t’u shpallur kampion.

Andrea Agnelli nuk kishte dhënë asnjë deklaratë publike para të premtes lidhur me qëndrimin e Juventusit për planin e përfundimit të këtij sezoni, duke e limituar veten me pëlqime në postime në Twitter, që ishin kundër shpalljes së kampionit të Serisë A në bazë të tabelës aktuale.

“Unë gjithmonë bashkohem në mbështetjen unanime për punën e presidentit Dal Pino dhe e shfrytëzoj këtë rast për ta theksuar një gjë”, ka thënë ai në një intervistë të dhënë për Tuttosport.

“Ju e dini se unë nuk jam shumë i gatshëm të flas për media dhe preferoj të jem më i heshtur. Kjo mund të ketë ngjallur keqinterpretime të synimeve të Juventusit”.

“Epo, mirë, unë mund ta theksoj fuqishëm se Juventusi ka qëllim ta përfundojë sezonin 2019/20”.

“Sa i përket rinisjes së stërvitjeve më 18 maj dhe ndeshjeve në qershor, gjithmonë do të ketë mënyra dhe momente për ta përfunduar sezonin, duke i respektuar udhëzimet që janë dhënë nga UEFA dhe Shoqata e Klubeve Evropiane”. 

(Kosova Sot Online)