Gjyqtari e pranoi se Atleticos iu bë e padrejtë në finalen kundër Realit, reagon Atletico

  • 15 May 2020 - 11:45
Gjyqtari e pranoi se Atleticos iu bë e padrejtë në finalen kundër Realit, reagon Atletico

Atletico Madridi ka reaguar me një postim në rrjetet sociale ndaj deklaratës së gjyqtarit Mark Clattenburg, i cili e pranoi se Real Madridit duhej t’i ishte anuluar goli në finalen e vitit 2016 në finalen e Ligës së Kampionëve, në të cilën e kishte ndarë vetë drejtësinë.

Mark Clattenburg e ndau drejtësinë në ndeshjen vendimtare evropiane, në të cilën Real Madridi e mundi Atletico Madridin me penallti, pasi loja e rregullt gjatë finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2016 kishte mbaruar baras 1:1.

Por, Clattenburg tani e ka pranuar se goli i parë i Real Madridit, i shënuar nga kapiteni Sergio Ramos, duhej të ishte anuluar pasi që ishte në pozitë jashtë loje.

“Në atë finale, Real Madridi kaloi në epërsi 1:0 në pjesën e parë, por goli ishte pozitë jashtë loje dhe këtë e kuptuam në pushimin mes pjesëve – ishte vendim i vështirë dhe ndihmësi im e huqi”, vazhdoi ai.

Atletico Madridi ka reaguar në llogarinë zyrtare të klubit në Twitter duke i publikuar disa fotografi të lajmeve për këtë deklaratë të gjyqtarit anglez, duke i përcjellë ato fotografi me një emotikon.

Zyrtari anglez ishte bërë i famshëm në rrjetet sociale pasi u duk sikur ishte tallur me Pepen duke e nxjerr gjuhën jashtë kur mbrojtësi portugez u hodh në dysheme duke e mbajtur fytyrën me pretendimin se ishte goditur nga një lojtar i Atleticos.

Ai e pati edhe një ballafaqim tjetër me të, kur akordoi penallti pas një faulli të Pepes në Fernando Torresin.

“Të gjithë me pyesin për incidentin në finalen e vitit 2016, kur e bëra atë gjest me gjuhë derisa ai po rrokullisej në tokë, duke aktruar. Në atë moment po mendoja: ‘Një burrë kaq i madh si mund të jetë kaq i dobët?’ Ai e bëri këtë dy herë gjatë ndeshjes për të më detyruar mua ta përjashtojë një lojtar të Atletico Madridit”, shkroi Clattenburg në Daily Mail.

“Ndonjë gjyqtar tjetër mund të kishte rënë në grackën e tij, por unë i pata bërë detyrat e shtëpisë, dhe e dija, pa dashur të gjykoja, se çfarë mentaliteti kishte ai dhe kisha nevojë për ato njohuri për ta trajtuar atë. Ai ishte një lojtar që nuk mund t’i besoje”, theksoi ai.

“Ia dhashë Atleticos një penallti herët në pjesën e dytë kur Pepe bëri faull në Fernando Torresin. Pepe u tërbua dhe më tha mua me një anglishte të përsosur: ‘Kurrë nuk është penallti kjo, Mark’. Unë ia ktheva: ‘Goli juaj është dashur të anulohej’. Kjo ia mbylli gojën atij”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)