25.000 tifozë e mbushin stadiumin për derbin serb Partizani – Crvena Zvezda

  • 11 June 2020 - 08:43
25.000 tifozë e mbushin stadiumin për derbin serb Partizani – Crvena Zvezda

Rreth 25 mijë tifozë i mbushën ulëset e stadiumit të Partizanit në Beograd, për ta shikuar derbin serb mes Partizanit dhe Crvena Zvezdës të mërkurën në mbrëmje, midis pandemisë koronavirus.

Futbolli në Serbi u rikthye me ndeshje pa tifozë më 29 maj, por nuk pati ndalesa apo kufizime ndaj tifozëve të mërkurën kur Partizani e mposhti rivalin dhe fqinjin, Crvena Zvezdën 1:0 në gjysmëfinale të Kupës së Serbisë.

Në Serbi janë shënuar mbi 12 mijë raste me Covid-19, ndërsa kanë vdekur 251 persona si pasojë deri më tani.

Para gati 25 mijë tifozëve, Partizani triumfoi falë golit nga Bibras Natcho në minutën e 58 dhe tani është me një hap larg trofeut të pesë radhazi në Kupën e Serbisë.

Trajneri i Partizanit, Savo Milosevic, i falënderoi tifozët që ishin të pranishëm në stadium.

“I falënderoj tifozët për përkrahjen fantastike. Është madhështore të fitosh kështu para një stadiumi të mbushur”, tha Milosevic.

Futbolli në ligat kryesore evropiane, përjashtuar Francën, po rikthehet plotësisht këtë muaj por ndeshjet do të luhen pa praninë e tifozëve nëpër stadiume për shkak të druajtjeve nga shpërndarja e virusit ngjitës.

Edhe në Kosovë futbolli u rikthye javën e kaluar, me tifozët që nuk lejohen të jenë të pranishëm në stadiume.

(Kosova Sot Online )