Shaqirin s’do ta njohë njeri pas 10 vjetëve, s’është kampion – thotë trajneri i panjohur zviceran

  • A.P /
  • 02 korrik 2020 - 15:01
Shaqirin s’do ta njohë njeri pas 10 vjetëve, s’është kampion – thotë trajneri i panjohur zviceran

Arno Rossini, një trajner zviceran pa asnjë trofe në karrierë, e ka marrë guximin ta godasë ashpër yllin shqiptar të Zvicrës, Xherdan Shaqirin, duke e thënë se askush nuk do ta njohë atë pas 10 vjetëve, sepse, pretendon ai, Shaqiri nuk është futbollist kampion, megjithëse ka shijuar tituj në Gjermani dhe në Angli.

Sulmuesi i Kombëtares së Zvicrës, me prejardhje nga Gjilani i Kosovës, sapo është shpallur kampion i Anglisë, pasi klubi i tij i tanishëm, Liverpool, u kurorëzua me titullin e parë të Premierligës dhe të 19-n në histori të klubit.

Shaqiri është paraqitur vetëm në 10 ndeshje në të gjitha garat për të kuqtë këtë sezon, por kryesisht sepse nuk ka qenë në gjendje të luajë shkaku i lëndimit, por pavarësisht e ka fituar edhe një medalje tjetër në koleksionin e tij mbresëlënës.

Në të kaluarën, Shaqiri ishte pjesë e skuadrës së Bayern Munich, e cila shkroi historinë duke e fituar tripletën në sezonin 2012/13. Ai ishte edhe pjesë e Interit në Serie A, por shkurtimisht.

Shaqa, megjithatë, ka hasur në vështirësi për t’u bërë lojtar kyç dhe i pazëvendësueshëm siç mendonin shumë njerëz pasi shpërtheu në sipërfaqen evropiane me Baselin.

Rossini mendon se 28-vjeçari e ka çuar dëm talentin e madh që e kishte.

“Xherdani nuk është kampion”, tha Rossini, i cili i ka udhëhequr skuadrat si FC Sion dhe FC Locarno, por kurrë nuk ka shijuar trofe në karrierën e tij.

“Ne nuk mund të themi se ai ka lënë gjurmë me ekipet me të cilat ka fituar. Ai ishte protagonist në Basel por jo edhe në Bayern e Liverpool”, shtoi ai.

“Të themi se gjatë viteve, ai shpesh i ka shikuar ndeshjet e ekipeve të veta si tifoz, i ulur në vendet më të mira. Dhe miliona euro janë paguar për të.”

Rossini nuk u përmbajt ndaj Shaqirit, njeriut që e ka përfaqësuar Zvicrën në 82 ndeshje, duke e thënë edhe këtë: “Natyrisht, llogaria bankare e Xherdanit po mbushet në mënyrë drastike; nuk e di njerëz do ta mbajnë në mend atë pas 10 vjetëve”. 

(Kosova Sot Online)