Heroi i PSG-së: I thashë vetes që s’mund të shkojmë në shtëpi kështu

  • S.A /
  • 13 August 2020 - 12:18
Heroi i PSG-së: I thashë vetes që s’mund të shkojmë në shtëpi kështu

Heroi i Paris Saint-Germainit, Eric Maxim Choupo-Moting, ka treguar se çfarë i shkoi në mendje para se të hynte në ndeshjen kundër Atalantas dhe ta përmbyste rezultatin për ta siguruar një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Paris Saint-Germaini ishte duke pësuar disfatë me rezultat 1:0 në çerekfinale të Ligës së Kampionëve deri afër fundit, shkaku i golit të shënuar nga Mario Pasalic i Atalantas në pjesën e parë.

Megjithatë, djemtë e Tuchel arritën ta përmbysin rezultatin e ndeshjes në mënyrë dramatike, brenda tre minutave lojë. Marquinhos e shënoi golin e barazimit në minutën e 90-të, ndërsa Eric Maxim Choupo-Moting i kaloi parisienët në epërsi në minutën e 93-të.

Duke folur për BT Sport pas ndeshjes, Choupo-Moting tha se ai ishte i sigurt se skuadra e tij do të mundë ta përmbyste rezultatin pasi hyri në lojë, duke e zëvendësuar sulmuesin Mauro Icardi.

“Ishte një ndeshje e çmendur, një ndeshje e vështirë kundër një ekipi të vështirë. Nuk ishte aspak e lehtë. Kur po hyja në lojë, mendova: “S’mund të humbasim, s’mund të shkojmë në shtëpi kështu”. Kisha besim në vete dhe në skuadër”, ka thënë Moting.

“Neymari luajti mrekullueshëm. Ne e kishim në ndjesi të mirë brenda skuadrës. Jemi duke i shijuar momentet e mira në fushën e lojës dhe jashtë saj”.

“I kemi fituar katër trofe, por kjo është më e rëndësishmja. Ne kemi besim te vetvetja”.

“Të gjithë e dinë se ne kemi top lojtarë në skuadër, por ne deshëm ta tregojmë se si punojmë si skuadër. Jam shumë i lumtur që sot ishim të suksesshëm”.

(Kosova Sot Online )