Challandes: “EURO 2020”, ëndërr për Kosovën

  • A.P /
  • 28 August 2020 - 22:27
Challandes: “EURO 2020”, ëndërr për Kosovën

Bernard Challandes dhe Federata e Futbollit të Kosovës, vendosën të enjten për ta vazhduar rrugëtimin e tyre s’paku deri në përfundimin e kualifikimeve në Botërorin Katar 2022

FFK dhe Bernard Challandes vazhduan me njëri tjetrin deri në verën e vitit 2022, derisa Kosova po përgatitet për të luajtur në ndeshjet e muajit shtator për Ligën e Kombeve.

Vitin e kaluar Kosova ishte shumë afër për t’u kualifikuar drejt për drejt nga grupet në kualifikime por kishte dështuar për të fituar dy ndeshjet e fundit që u luajtën kundër Çekisë në Pragë dhe Anglisë Në Prishtinë.

Megjithatë, kalimin në Euro 2020, Challandes e synon përmes fazës së play-off’it në Ligën e Kombëve.

Këtë kualifikim ai e ka konsideruar ëndërr për Kosovën në një intervistë të dhënë për mediat zvicerane.

“Të shkojmë në Europianë do të ishte si një ëndërr për ne”, tha Challandes për RTN.ch.

Për shkak të pandemisë COVID-19, Euro 2020 nuk u mbajt fare këtë verë dhe u shty për 2021, kurse Kosova ndeshjen me Maqedoninë e Veriut që ishte paraparë të luhet në mars të këtij viti tani do të luhet më 8 tetor.

Në rast se Kosova fiton atëherë do të përballet me fituesin e ndeshjes Bjellorusi-Gjeorgji që zhvillohet më 12 nëntor. 

(Kosova Sot Online)