A do të kthehet Prishtina te fitorja?

  • G.G /
  • 16 October 2020 - 13:11
A do të kthehet Prishtina te fitorja?

Prishtina të shtunën e pret Besën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 14:00 në kuadër të javës së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll. Njëherësh, kjo vlerësohet si mundësi mjaft e mirë për bardhekaltrit që të kthehen te fitorja.

Prishtina që nga xhiroja e parë nuk ka fituar, ku në katër ndeshje ka vetëm një fitore, dy barazime dhe një humbje dhe gjendet në vendin e shtatë me gjithsej pesë pikë.

Ndërsa Besa, nga katër humbje radhazi ka gjetur së fundmi fitoren në ndeshjen kundër Trepçës’89 dhe me këtë trepikësh ka fituar motiv për duelin me rivalët e kahershëm nga kryeqyteti.

Disa statistika nga ndeshjet e kaluara në mes dy klubeve më të trofeshëm në vend flasin në favor të ekipit nga kryeqyteti.

Përballjet nga viti 1999 deri në 2018 – gjatë së cilës kohë Besa ishte pjesë e Superligës – Prishtina ka arritur që të fitoi 35 herë duke shënuar 103 gola ndërsa pejanët kanë fituar vetëm 18 herë, por në gjashtë përballjet e fundit në mes këtyre dy skuadrave Besa vetëm një herë ka arritur të marrë fitore me rezultat 1:0 në Pejë.

Skuadrës së Prishtinës i është bashkuar në seancat stërvitore edhe futbollisti nga Tunizia, mbrojtësi 23-vjeçar, Ahmed Radaoui. Bardhekaltrit edicionin e kanë nisur me objektiva për t’i fituar të gjithë trofetë, por që startimi nuk konsiderohet premtues.

Kjo përballje zhvillohet të shtunën, kur do të zhvillohet edhe takimi Llapi – Drenica. Xhiroja e gjashtë nis sot me ndeshjen ndemjet Arbërisë e Ballkanit që po shkëlqejnë në këtë fillim. Kurse, të dielën zhvillohet super-derbi i Anamoravës ndërmjet Dritës dhe Gjilanit. Po të dielën Trepça ’89 e sfidon Feronikelin.

(Kosova Sot Online)