“Dardanët” grumbullohen në Durrës me plot mungesa

  • G.G /
  • 09 November 2020 - 14:48
“Dardanët” grumbullohen në Durrës me plot mungesa

Verdhekaltrit janë grumbulluar sot para tri ndeshjeve të nëntorit, miqësoren me Shqipërinë dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë dhe Moldavisë. Trajneri Bernard Challandes do të jetë i hendikepuar me disa mungesa për ndeshjet e këtij muaji

Ekipi kombëtar i Kosovës është grumbulluar sot në Durrës para ndeshjeve të nëntorit.

“Dardanët” do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore vëllazërore me Kombëtaren shqiptare të mërkurën në Elbasan.

Ndërsa më pas, më 15 nëntor do të luajnë me Slloveninë në udhëtim e më 18 të këtij muaji kundër Moldavisë.

Për këto ndeshje, trajneri Bernard Challandes nuk do të mund të llogarisë në Milot Rashicën e Leart Paçaradën, të cilët nuk janë lejuar të vijnë nga klubet e tyre.

E në tri ndeshjet e nëntorit do të mungojnë edhe Florent Muslija, shkaku i lëndimit dhe Benjamin Kololli, i cili është i suspenduar me dy ndeshje.

Për miqësoren me Shqipërinë do të mungojnë edhe Valon Berisha e Idriz Voca.

Mesfushori Berisha megjithatë do të jetë prezent për ndeshjet me sllovenët dhe moldavët.

Kurse, Voca u lëndua në fundjavë dhe mbetet në dyshim prezenca e tij për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Ekipi kombëtar i Kosovës do të stërvitet sonte nga ora 19:00 në resortin “Tropikal” në Durrës. 

(Kosova Sot Online)