“Interi, pretendent kryesor për titull”

  • A.P /
  • 04 January 2021 - 17:59
“Interi, pretendent kryesor për titull”

Trajneri i Evertonit në Premierligë, Carlo Ancelotti, ka folur për ecurinë e skuadrave në kampionatin Italian, teksa nuk i ka kursyer elozhet për punën e bërë nga Antonio Conte te Interi dhe Paolo Maldini te Milani.

Ai beson se pavarësisht formës së mirë të Milanit, Interi është favoriti numër një për titull në Itali.

“Inter ka një shoqëri të fortë që ka investuar shumë dhe me një trajner si Conte në stol, janë gjithmonë pretendentë. Shoh një skuadër shumë të fortë në fushë, që pa Championsin do ta ketë edhe më të lehtë të synojë titullin”, tha Ancelotti.

“Nga ana tjetër, Milani po bën mirë dhe kjo falë Maldinit, që me një buxhet minimal ka sjellë lojtarët e duhur te kuqezinjtë”.

Tekniku i “Toffees” ka folur edhe për emergjencën me të cilën po përballet Premier League, ku deri tani janë shtyrë tre ndeshje dhe nuk përjashtohet mundësia e një ndërprerjeje dy javore, duke qenë se të prekurit po shtohen nga dita në ditë.

“Është një moment i vështirë dhe të infektuarit nga Covid-19 po shtohen çdo ditë. Menduam se po bënim përparime dhe u hapën dyert përreth 2000 tifozë, por tani u kthyem sërish mbrapa. Ndoshta futbollistët kanë neglizhuar dhe janë treguar të pakujdesshëm gjatë festimeve të fund vitit, megjithatë shpresoj në normalizimin sa më shpejt të situatës”.

(Kosova Sot Online)