Tottenhami e mposht klubin a nivelit të tetë

  • A.P /
  • 10 January 2021 - 20:10
Tottenhami e mposht klubin a nivelit të tetë

Tottenham ka kaluar në rrethin e katërt të FA Cup, pas fitores së lehtë 5:0 kundër klubit të kategorisë së tetë të futbollit anglez, Marine, të dielën.

Sulmuesi i talentuar brazilian Carlos Vinicius shënoi het-trik në pjesën e parë, ndërsa Lucas Moura dhe Alfie Devine shënuan nga një herë në stadiumin Rosset Park, për ta dërguar skuadrën e Jose Mourinhon në rrethin e katërt.

Siç pritej, Mourinho u fut në këtë lojë pothuajse me formacion të dytë, duke i pushuar yjet kryesore të skuadrës.

Skuadra londineze e kreu punën në fillim të pjesës së parë kur Vinicius shënoi het-trik brenda 15 minutave.

Marine ishte e pafuqishme, por ka mundur të shënonte një herë në fillim të ndeshjes, kur Neil Kengni e goditi shtyllën me një goditje të fuqishme nga largësia.  

Marine u bë ekipi i parë i këtij niveli që përballet me një klub të Premierligës – ligës elitare angleze.

Tottenhami i bashkohet klubeve të mëdha të Premierligës si Chelsea Manchester City, Liverpool, Arsenal e Manchester United në rundin e katërt. 

(Kosova Sot Online)