A po falimenton Barcelona?

  • S.A /
  • 27 January 2021 - 11:24
A po falimenton Barcelona?

A po falimenton Barcelona? Barcelona është në telashe serioze financiare tani për tani. Nuk është më thjesht thashethem, sepse vetë klubi e ka pranuar, dhe është një krizë që ngre shumë pyetje. A ka falimentuar Barcelona? Klubi ende është në gjendje t’i paguajë borxhet e veta. Barça është në rrezik, por shumë larg përballjes me ndonjë krizë të ekzistencës. Barcelona ka borxh prej 1.2 miliard euro, të cilin, sipas MARCA-s, mund ta paguajë vetë. Gjiganti katalonas ka shumë asete, përfshirë pronë, objekte dhe, natyrisht, futbollistë.

Shitja e Antoine Griezmann, Philippe Coutinho, Ousmane Dembele apo Frenkie de Jong, për shembull, do të ndihmonte në adresimin e borxhin ekzistues. Si po menaxhohet situata në klub?

Kjo do të jetë detyra kryesore për presidentin e ri dhe të gjithë kandidatët për president e kanë një plan për këtë, i cili kryesisht përfshin rinegocimin e planeve të pagesave për t’i blerë kohë klubit, po ashtu duke kërkuar kredi të tjera. A mund të shndërrohet Barcelona në SAD? Klubi ka burime për ta shmangur ndërrimin në SAD – në një kompani të kufizuar sportive – si çdo klub tjetër në La Liga, përjashtuar Real Madridin, Athletic Club dhe Osasuna. Të gjithë kandidatët për president duan ta mbajnë modelin e tanishëm, pra klubi të kontrollohet nga anëtarët e vet. A do të jetë Barcelona në gjendje të blejë lojtarë në verë? Klubi nuk ka shumë hapësirë për manovrim në tregun e transferimeve, prandaj numri i prurjeve të reja pritet të jetë i kufizuar dhe do të afrohen vetëm lojtarët të cilëve u mbarojnë kontratat me klubet e tjera përkatëse, si Eric Garcia, Memphis Depay dhe Georginio Wijnaldum.  A do të detyrohet Barcelona të shesë lojtarë?  Shkurt thënë: po. Barcelona duhet të sigurojë të hyra dhe shitja e ndonjë lojtari të madh është mënyra më e mirë për ta arritur këtë. 

(Kosova Sot Online )