Henry flet si tifoz i Arsenalit: Nuk ka më ndoshta

  • A.P /
  • 05 May 2026 - 13:30
Henry flet si tifoz i Arsenalit: Nuk ka më ndoshta

Legjenda e Arsenalit, Thierry Henry e ka analizuar momentin aktual të skuadrës londineze, duke folur me zemrën e një tifozi dhe jo vetëm si ish-lojtar.

Ish-sulmuesi francez, i cili ka bërë histori me fanellën e “Topçinjve”, ka theksuar se ky është një moment vendimtar për klubin dhe për ambiciet e tij.

“Kur je në këtë pikë të sezonit, nuk mund të mendosh më ‘ndoshta’. Nuk ka më ‘ndoshta’”, është shprehur ai, duke e nënvizuar presionin dhe përgjegjësinë që e ka skuadra në këtë fazë të sezonit.

Henry e bëri të qartë se Arsenali duhet të tregojë mentalitet fitues në momentet kyçe, duke e lënë pas çdo dyshim.

“Duhet ta japësh një mesazh, duhet të tregosh se je gati. Këto janë ndeshjet që tregojnë se kush je në të vërtetë”, theksoi ai.

Francezi, që gjithmonë e ka deklaruar lidhjen e fortë me klubin londinez, foli edhe nga perspektiva e një tifozi të përjetshëm.

“Zemra ime nuk e ka lënë kurrë Arsenalin. Kur e do këtë klub, nuk e lë kurrë”, ka thënë ai më herët, duke e treguar lidhjen emocionale që vazhdon ta ketë me ekipin.

Mesazhi i Henryt është i qartë: në nivele të tilla nuk ka vend për hezitim.

Arsenali duhet të kalojë nga fjalët te veprat dhe të tregojë se është gati për hapin e madh.

Në fund, gjithçka reduktohet në mentalitet. Dhe sipas Henryt, për një skuadër që e synon lavdinë, momenti për të besuar pa asnjë “ndoshta” ka ardhur. 

(Kosova Sot Online)