Sanchez-Dzeko, topi në anën e Romës

  • S.A /
  • 29 January 2021 - 10:43
Sanchez-Dzeko, topi në anën e Romës

Operacioni i shkëmbimit mes Edin Dzekos dhe Alexis Sanchez po zhvillohet me intensitet për shkak edhe të kohës së shkurtër deri në mbylljen e merkatos së dimrit, teksa sot pritet të ketë zhvillime të tjera interesante.

Gjithçka lindi si një ide e verdhekuqve, që pas debatit mes boshnjakut dhe trajnerit Fonseca, u vunë në kërkim të një skuadre tjetër për ish kapitenin tashmë, pasi nuk mund ta mbajnë në tribunë deri në fund të sezonit.

Zikaltrit refuzuan shkëmbimin me Eriksen, por mirëpritën atë me Alexis Sanchez, megjithatë nyja për t’u zgjidhur lidhet me pagat bruto të futbollistëve, pasi Interi shpenzon rreth 3 milionë euro më pak për sulmuesin kilen.

Mbrëmjen e djeshme drejtorët sportivë të të dy skuadrave, Ausilio e Pinto u takuan në një hotel në Milano dhe njeriu i merkatos në klubin zikaltër ia bëri të qartë homologut të tij se te Interi nuk kanë ndërmend të shtojnë shpenzimet, kjo edhe për faktin se grupi Suning po negocion shitjen e aksioneve.

Tani topi është në këmbët e drejtuesve të Romës që do të duhet të pranojnë t’i shtojnë shkëmbimit të huazimeve edhe një bonus prej 3 milionë eurosh, ose të bashkëjetojnë si të ndarë në shtëpi me Dzekon.

Sa u përket vetë sulmuesve, të dy kanë dhënë miratimin për një huazim 6-mujor, pasi Dzeko mezi pret të ndryshojë ambient dhe të punojë me Antonio Conten, që e ka kërkuar vazhdimisht gjatë sezoneve të fundit, ndërsa Sanchez beson se do të ketë më shumë shanse aktivizimi në Romë, për vetë faktin se Fonseca përdor një skemë me dy gjysmë-sulmues.

(Kosova Sot Online )