Milani e rikthen interesimin për Rashicën

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 13:47
Milani e rikthen interesimin për Rashicën

“Rossoneri” synojnë ta transferojnë yllin kosovar në afatin kalimtar të verës. Rashica mund të kushtojë 15-20 milionë euro

Milot Rashica dështoi të transferohej në një klub më të madh evropian në afatin kalimtar të verës së shkuar dhe në atë të janarit.

Mirëpo, ylli kosovar nuk pritet të qëndrojë gjatë në Werder Bremen,

24 vjeçari i ka përpara gjashtë muaj për t’i treguar vlerat e tij dhe për ta siguruar një kontratë në një klub tjetër.

Mediat italiane shkruajnë se garës për vushtrriasin i është rikthyer Milani.

“Rossoneri” e kishin ndjekur futbollistin e krahut edhe verën e kaluar.

Mirëpo, duket se lideri i Serie A do t’ia mësyjë më seriozisht mesfushorit ofanziv pas përfundimit të këtij sezoni.

Werderi e vlerëson Rashicën 20 milionë euro, por Kuqezinjtë mund ta marrin atë për 15 milionë.

Ish-futbollisti i Vushtrrisë dhe Vitesses ka kontratë me Bremenin deri në vitin 2022.

Kohëve të fundit, interesim për të kishin shfaqur klubet gjermane, Bayer Leverkusen, Leipzig e Hertha Berlin, dhe ai anglez Aston Villa.

Miloti u rikthye së fundmi nga një lëndim që e kishte lënë jashtë fushës së blertë për një muaj e gjysmë.

(Kosova Sot Online)