Messi, Suarez, Ramos… rrëfehet Pique!

  • G.G /
  • 05 February 2021 - 14:29
Messi, Suarez, Ramos… rrëfehet Pique!

Gerard Pique rindez polemikat në Spanjë sa i përket gjykimit.

Mbrojtësi i Barcelonës mendon se arbitrat në La Liga favorizojnë Real Madridin, sado profesionistë të jenë.

Gjithmonë i drejtpërdrejtë në fjalët që përzgjedh, ai dha opinionin e tij edhe për vendimin e Barçës për të lënë Luis Suarezin të largohej drejt Atletico Madridit dhe për marrëdhëniet që ruan me kapitenin e Realit, Sergio Ramos.

“Një ish-gjyqtar tha që 85 për qind e tyre anojnë nga Madridi,” – tha Pique në një intervistë me Post United. – “Si mund të mos vërshëllejnë në favor të Madridit? Edhe në mënyrë të pavetëdijshme ata japin vendime në favor të njërës palë. E respektoj profesionalizmin e gjyqtarëve dhe e di që ata përpiqen ta bëjnë sa më mirë punën e tyre, por kur vjen një moment dyshimi …”

Në lidhje me të ardhmen e Sergio Ramosit, të cilit i përfundon kontrata në verë, sikurse Messit te Barcelona, Pique deklaroi:

“Unë komunikoj shpesh me Ramosin, por jo për rinovimin e tij. Kemi marrëdhënie shumë të mira, shkojmë shumë mirë. Kam ndërruar bluza me ta, në shtëpi kam fanella të Madridit. Kam të Cristianos (Ronaldo), Benzemasë, Ramosit … Por sigurisht që të vesh ndonjërën prej tyre është shumë e vështirë për mua”.

Ramos e Messi, në skadencë kontrate, do të pushtojnë faqet e para muajt e ardhshëm. Pique nuk pajtohet me idenë që lojtarët kanë fuqi të tepruar në lojën moderne.

“Unë nuk mendoj kështu. Ata janë futbollistë me shumë autoritet dhe mund të japin mendimin e tyre dhe, prej andej, vendimet mund të shkojnë në njërin krah ose në tjetrin. Kur ke një bord drejtues ose një president të fortë dhe me ide të qarta, lojtarëve u mbetet shumë pak për të thënë.”

Te Barcelona vazhdojnë të qajnë largimin e Luis Suarezit te një rival direkt, siç është Atletico e Madridit, që po kryeson bindshëm La Ligan. Sulmuesi uruguajan ka shënuar 14 gola në 16 paraqitje dhe është, për momentin, golashënuesi më i mirë i kampionatit.

“Pyesni atë që e la të largohej, ky nuk është faji im”.

(Kosova Sot Online)