FIFA e forcon programin antidoping para Botërorit 2026
FIFA e ka forcuar programin e saj antidoping në prag të Kupës së Botës 2026, duke e vendosur një sistem më të rreptë testimesh për lojtarët si para fillimit të turneut, ashtu edhe gjatë zhvillimit të ndeshjeve.
Sipas planit të ri, kontrollet antidoping do të kryhen në mënyrë të zgjeruar në fazën përgatitore të kombëtareve, ndërsa do të vazhdojnë edhe gjatë gjithë turneut, për ta garantuar një garë të pastër dhe të drejtë në eventin më të madh të futbollit botëror.
FIFA thekson se qëllimi është mbrojtja e integritetit të kompeticionit dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA).
Në kuadër të këtij programi, autoritetet antidoping do të kryejnë teste pa paralajmërim, si në kampet stërvitore të ekipeve kombëtare, ashtu edhe gjatë vetë turneut, duke përfshirë analiza të urinës dhe të gjakut për të gjithë lojtarët e përfshirë në garë.
FIFA ka deklaruar se ky sistem i ri është pjesë e një strategjie më të gjerë për ta rritur besimin në futbollin ndërkombëtar dhe për ta parandaluar çdo formë manipulimi apo përdorimi të substancave të ndaluara, në një kohë kur përgatitjet për Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë po intensifikohen.
Programi antidoping është një nga elementët kryesorë të organizimit të turneut dhe pritet ta përfshijë një numër të madh kontrollesh gjatë gjithë kompeticionit, duke e bërë Botërorin 2026 një nga eventet më të monitoruara në historinë e futbollit.
(Kosova Sot Online)
