PSG-ja ka vendosur t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për stafin

  • A.P /
  • 14 May 2026 - 14:30
PSG-ja ka vendosur t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për stafin

Paris Saint-Germaini ka vendosur t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e punonjësve të klubit për finalen e Ligës së Kampionëve, duke e përfshirë udhëtimin dhe biletat për mbi 500 anëtarë të stafit që do të jenë të pranishëm në Budapest, njofton mediumi britanik “The Sun”.

Ky vendim është bërë me iniciativë të presidentit të klubit, Nasser Al-Khelaifi, i cili ka njoftuar se të gjithë punonjësit do të kenë mundësinë ta ndjekin finalen kundër Arsenalit pa asnjë kosto, si shenjë vlerësimi për punën e tyre gjatë sezonit.

PSG-ja ka organizuar fluturime charter dhe kthim në të njëjtën ditë, duke e kthyer udhëtimin në një eksperiencë të plotë të klubit për stafin.

Ky nuk është rasti i parë, pasi edhe sezonin e kaluar klubi francez e kishte ndërmarrë një veprim të ngjashëm për finalen evropiane.

Në anën tjetër, raportimet tregojnë se disa punonjës të Arsenalit janë detyruar të paguajnë rreth 859 funte për udhëtimin drejt Budapestit, edhe pse u është ofruar një biletë për ndeshjen.

Kjo e ka krijuar një kontrast të madh mes dy klubeve finaliste: PSG po shihet si më bujar dhe i fokusuar te kultura e brendshme e klubit, ndërsa Arsenali po përballet me kritika për mënyrën e organizimit të udhëtimit për stafin.

Finalja e Champions League mes PSG-së dhe Arsenalit do të zhvillohet më 30 maj në Budapest, në stadiumin “Puskás Aréna”, dhe pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të sezonit. 

(Kosova Sot Online)