Pirlo: Reaguam si skuadër e madhe

  • A.P /
  • 07 March 2021 - 11:12
Pirlo: Reaguam si skuadër e madhe

Me Cristiano Ronaldon në pankinë dhe me një nisje nën nivel, ku pësoi edhe një gol, Juventusi reagoi në mënyrë perfekte ndaj Lazios, duke marrë në dorë frenat e lojës dhe duke fituar me përmbysje 3-1.

Në përfundim të takimit trajneri Andrea Pirlo u shpreh mjaft i lumtur me fitoren, por mbi të gjitha me sjelljen në fushë të futbollistëve të tij, teksa më pas bëri apel që të fillojnë të mendojnë për ndeshjen ndaj Portos në Champions.

“E nisëm keq ndeshjen, duke i dhuruar 20 minutat e para, megjithatë reagimi ishte prej një skuadre të madhe, Erdhëm duke e rritur ritmin vazhdimisht dhe duke shtuar presionin ndaj kundërshtarit, që i lamë shumë pak mundësi. Më pëlqeu mentaliteti me të cilin përballuam këtë sfidë, por tani duhet të çlodhemi dhe të mendojmë për Porton, pasi ajo është një ndeshje ku gabimet janë të ndaluara”, deklaroi tekniku bardhezi.

Alvaro Morata shkëlqeu sërish në majë të sulmit, me dy gola të shënuar dhe një asist, ndërsa Pirlo nuk ngurroi të flasë me nota pozitive edhe për emra si Bernardeschi e Kulusevski, teksa u shfaq i lumtur për rikuperimin e disa futbollistëve.

“E kam thënë gjithmonë që me Moratën në sulm, ne ndryshojmë tërësisht, por për fat të keq nuk e kemi pasur gjithmonë në dispozicion. Bernardeschi më pëlqeu shumë si anësor, pasi ka sensin e pozicionit, cilësi mjaft të mira teknike dhe shumë energji për të vrapuar. Mendoj se mund të bëjë shumë mirë aty. Mund të them se edhe Kuliusevski po rritet ndjeshëm nga ndeshja në ndeshje, pas vështirësive të fillimit, ndërkohë që lajmi i mirë është rikuperimi i lojtarëve si Bonucci, Arthur e Ramsey, që do të na shtojnë eksperiencë e cilësi në prapavijë”, tha Pirlo.

(Kosova Sot Online)